Kreu i PD-së Lulzim Basha është zotuar në Kukës se kjo forcë në qeverisje do të ringrejë ekonominë duke ndalur kështu fenomenin e largimit të rinisë.

Në një takim me banorë të Kukësit në kuadër të turit “Po të dëgjoj” ku ngriti shqetësimin e largimit të të rinjve nga Shqipëria Basha theksoi se varfëria po e bën Kukësin dhe Shqipërinë të pajetueshme për të gjithë qytetarët dhe pa shpresë për të rinjtë.

“Do të ringremë ekonominë dhe do të zhdukim fenomenin e largimit të rinisë. Zhvillimi i ekonomisë i jep zgjidhje njëherë e përgjithmonë largimit të shqiptarëve”, ka theksuar kryedemokrati Lulzim Basha, i cili premtoi gjithashtu dhe se “ditën e parë qeveria jonë do të heqë taksën për Rrugën e Kombit”.

Ndërkohë një prej banorëve, i ka treguar Bashës se janë 6 vëllezër dhe kanë 30 djem sot jashtë Shqipërisë.
Një tjetër ka thënë se ka punuar si kasap dhe ka bërë 1 vit e gjysmë burg për dritat. Ai rrëfeu se ka shkolluar 4 fëmijë dhe të katërt i ka larguar.

“Kukësi dhe familjet kuksiane po lëngojnë nga dhimbja e largimit të të rinjve me energji dhe talent, për shkak të mungesës së punësimit dhe arsimit. Sa më parë duhet të çlirohemi nga kjo braktisje, nga kjo e keqe! Fuqizimi i ekonomisë është prioritet i programit tonë dhe zgjidhje për plagën e emigracionit. E ardhmja u takon të rinjve! #PotëDëgjoj”, shkruan Basha në “Facebook”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: