Ndonëse sot është dita e shtattë e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, Shqipëria vijon të jetë në situatë katastrofike. Shumë njerëz vijojnë të qëndrojnë nëpër çadra, Durrësi dhe Thumana janë ende nën rrënojat e tërmetit shkatërrues, ndërsa dhimbja është e madhe, sidomos për ata që humbën familjarët e tyre.

Por, përveç dhimbjes, edhe solidariteti me shqiptarët ka qenë shumë i madh në këto ditë të vështira. Nga e gjithë bota është ofruar mbështetje për shqiptarët, madje edhe nga Koreja e Jugut. Teksa raportonte sot nga Shijaku, se si ishte situata atje, gazetari i “News24” dhe “BalkanWeb”, Erjon Skëndaj, pa të ofronte ndihmë për këta banorë një grup vullnetarësh nga Koreja e Jugut.

Për kamerën e “News24”, drejtuesi i këtij grupi shprehu dhimbjen e thellë që ndjen për shqiptarët, ndërsa tha se ata e ndjenjë veten gjysmë shqiptarë, pasi kanë kaluar gjysmën e jetës në vendin tonë.

Duke folur në gjuhën shqipe, koreani tha se janë dy grupe vullnetarësh që po shohin situatën në Durrës dhe Thumanë, dhe që kanë vendosur të ndihmojnë familjet e prekura, duke iu paguar qiranë, derisa të bëhen sërish me shtëpi.

“Ne kemi shumë dëshirë që të marrim pjesë në vuajtjen e popullit shqiptar, t’i ndihmojmë. Sot ne kemi marrë ca pije për të gjithë njerëzit që janë këtu. Por, ne kemi një plan të gjatë, t’i mbështesim me qira ata që kanë humbur shtëpitë.

Tani është hapi i parë dhe ne po testojmë së bashku, po mbledhim fonde nga Koreja. Kemi qenë në Durrës te stadiumi dhe shkolla, ndërsa grupi tjetër ka qenë në Thumanë e Laç. Ndërsa sot erdhëm në Shijak, pasi një familje na shkroi mesazh se kishin nevojë për ndihmë. Kemi shumë dhimbje, ishte një tragjedi e madhe.

Ndodhi në shtator dhe menduam se ishte tërmeti i fundit, por ndodhi sërish, dhe tani ka shumë dëme, shumë humbje, një familje ka humbur 8 persona. Sa të kemi mundësi, ne duam të marrim pjesë edhe në vuajtjen e shqiptarëve, ne jemi gjysmëshqiptarë, pasi kemi kaluar shumë vite këtu, gjysmën e jetës. Fëmijët tanë u rritën në Shqipëri, janë në Kore tani, por kanë shumë dhimbje për këtu”, tha koreani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb