Presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se nuk mjaftojnë dy paketat e qeverisë për të nxjerrë ekonominë nga kriza e COVID-19.

Bregasi theksoi se qeveria duhet të mendojë që ekonomia do të dojë shumë para, nëse ky skenar vazhdon për disa muaj.

Sipas tij, duhet të rritet borxhi publik me 5%, ndërsa shtoi se edhe garancia e parë sovrane, ashtu si e dyta, duhet të jetë pa interesa për biznesin.

“Meqë shteti ofroi garancinë sovrane, ne do të kërkonim të korrigjohet, që edhe garancia e parë për marrje pagash të jetë pa interesa, sin ë rastin e parë që e paguan shteti. Nuk besohet që kjo histori të zgjasë tre muaj, do kalojnë tre muaj dhe do shohim që do kemi prapë ndërmarrje e biznese të mbyllura, apo që punojnë me kapacitete të cunguara. Për këtë arsye, edhe garancia e parë sovrane duhet të jetë pa interesa. Dalja nga kjo situatë kërkon më shumë përqendrim nga qeveria.

Duhen hedhur më shumë para në treg. Mendoj se është momenti që të rritet borxhi publik, me një 5%, po sigurisht me kujdes. Kjo nuk kalohet pa borxhe, ne jemi në luftë, dhe i bie që të vritemi. Duhet të shtohet borxhi publik. 3% janë dhënë në dy paketat e para, por mund të shkojë 7% e GDP të injektohet në ekonomi, duke dhënë dhe ndihma shtetërore ndërmarrjeve. Ky nuk është gabimi i biznesit, është gjendur në një pandemi totale. Biznesmenët janë njerëz të çmendur, optimistë, besimtarë, investojnë, punojnë natë e ditë.

Punojnë, krijojnë një të ardhur, paguajnë punonjësit, taksat, bankat, dhe shumë pak ju mbetet në portofolin e tyre. Nuk e ka luksin biznesi ta përballojë këtë situatë vetëm. Ne po marrim kredi në bankë, është një ndihmë kjo, por shteti duhet ta mendojë se në një skenar më afatgjatë, që mund të shkojë deri në fund të vitit, qeveria duhet të përgatitet se ekonomia do të dojë shumë para, që motorri i saj të mos fiket”, tha Bregasi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb