Agim Nesho, zëvendëskryetar i Partisë së Lirisë, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe “ndezjen e motorëve” nga kjo parti.

Nesho tha se situata në të cilën ndodhet vendi, solli nevojë për krijimin e kësaj force politike, duke theksuar se synimi kryesorë është referendumi dhe kthimi tek qytetarët i të drejtës së munguar.

Sipas tij, është momenti për të ndryshuar situatën e vështirë dhe se populli do të vendosë për fatin e tij, duke larguar kryeministrin Rama nga pushteti, duke thënë se ka një sjellje arrogante me qytetarët.

Po ashtu ai tha se tashmë opozita e bashkuar është arritur, dhe se “Shqipëria në rrezik” është arsyeja që i bën bashkë.

“Është situata kritike e vendit që a shtynë për ta mbajtur të ndezur këtë flakë. Ky regjim ka kapur për fyti shtetin dhe është detyra e opozitës të reagojë. Presidenti Meta ka një rol të veçantë sepse është një lider i sprovuar, që kërkon dhe e fiton betejën dhe realizon misionin e tij, referendumin. Shqipëria ka shkarë nga rruga demokratike”, u shpreh ai.

Pjesë nga biseda në studio:

Si do realizohet referendumi?

Nesho: Me të drejtë Meta e ka vënë referendumin si kryefjalë të PL, sepse tregon se do t’i kthehet demokracia popullit. Kemi kaluar në një regjim të mbyllur, gjysmë diktatorial, të gjitha treguesit e demokracisë janë në përkeqësim… është domosdoshmëri t’i rikthehemi demokracisë, dhe kjo nëpërmjet referendumeve. Nuk kërkojmë pushtet, kërkojmë t’i rikthejmë popullit vendimmarrjen.

Sa e mundur është qeveria teknike?

Nesho: Momenti se kur mund të bëhet përcaktohet, por jemi në një moment ngopjeje, kemi një qeveri që kontrollon edhe elektoratin që voton, administratë që është në funksion të klikës së qeverisë së vendit… Populli do manifestojë, do protestojë në mënyrë paqësore, njerëzit kërkojnë një qeveri teknike. Shqipëria ka nevojë për ndryshim  dhe jo për një periudhë 3 vjeçare.

Si do të largohet Edi Rama nga pushteti?

Nesho: Protesta e 2 marsit dhe 7 korriku ishin fillimi, por nëse kjo qeveri e papërgjegjshme, nuk reflekton ndaj këtyre gjërave, është në dorën e popullit të vendosë fatin. Ne po shohim që pika e vlimit ka arritur. Tani njerëzit do shohin do vazhdojë me këtë arrogancë kjo qeveri?! Jemi në një periudhë kritike, populli do vendosë, protesta do na çojë në një pikë realizimi.

Do ketë bashkim të veprimeve me PD?

Nesho: Pa diskutim, opozita e bashkuar është arritur tani. Ajo që i bashkon partitë e liderët, është Shqipëria në rrezik.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb