TIRANË

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, njëherazi drejtues politik i qarkut të Fierit deklaroi sot se emri i kandidatit për kryetar të bashkisë Lushnjë do të bëhet i ditur të martën.

Ndonëse sot u dhanë emrat e 5 kandidatëve, Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës e Rrogozhinë, emri i kandidatit të Lushnjës mbetet mister deri të martën. Ndërkohë Balla pranoi se Eriselda Sefa, drejtuese e emëruar e Bashkisë së Lushnjës aktualisht është një prej kandidatëve.

“Besoj që e kanë bërë dhe kolegët e mi. Dua t’ju falënderoj për vëmendjen tek vendimmarrjet që merr kryesia e PS-së. Vendimmarrje që i nënshtrohen proceseve konsultative në gjithë territorin.
Lidhur me interesimin për kandidatin apo kandidaten që PS do garojë në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Lushnjës, kemi zhvilluar një proces shumë të thellë dhe të ngutshëm për shkak të kohës që kishim në dispozicion konsultimi jo vetëm me strukturën. Kemi bërë kësaj radhe një proces shumë më të hapur. Një proces dhe më të gjerë.
Kam kërkuar që ditën e parë që procesi që ditën e parë pas një liste të reduktuar t’i shtohet një anketim publik dhe besoj të martën në mëngjes do keni emrin.


Po, është e vërtetë që është një prej kandidatëve (Eriselda Sefa), por nuk dua të hyj sot në emrat, do ta quaja një lloj strategjie, për shkak se unë jam drejtues politik prej një kohe të shkurtër në qarkun e Fierit.
Ka aq shumë kandidatë që kanë hyrë në këtë proces dhe që unë për të qenë i saktë, bashkë me kryesinë e partisë kemi vendosur që të përdorim këtë element. Kishte filluar dhe nuk u përmbyll dot sot. Nuk dua të flas për numra, e rëndësishme është që kryetari i ri i bashkisë Lushnjë do të jetë një person që ka përgatitjen e duhur për të çuar përpara projekte të mëdha.
PS garon për t’i fituar 6 bashkitë. Ne konkurrojmë për të fituar në Shkodër. Jam prej muajit shtator drejtues politik në qarkun e Fierit dhe në mekanizmin e përdorur për të konsultuar, përveç konsultimeve të drejtpërdrejta, me shoqërinë civile, me sipërmarrjen, me fermerët, por në një mënyrë të përgjithshme dhe me popullin. Emrin do ta keni shumë shpejt, ditën e martë”, deklaroi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb