Ish-kryeministri, Sali Berisha në seancën e sotme plenare foli për krizën në Ukrainë. Berisha nga foltorja akuzoi kryeministrin Edi Rama se me qëndrimin e tij po tregon se mbështet Beogradin.

Ai gjithashtu shtoi se është e pafalshme që asnjë nga deputetet nuk ka shprehur qëndrimin e tyre në mbrojtje të Ukrainës, duke iu drejtuar edhe deputetëve të PD nga të cilët kërkoi të mos heshtin.

‘Sot më duket sikur jam në Parlamentit e Taxhikistanit. A ekziston sot një kërcënim i madh nga një diktator që quhet Vladimir Putin. A po kërcënohet për pushtim një vend sovran. Çfarë është ky narkoparlamet që nuk thotë një fjalë, por sikur janë sferë e Putinit,. A rrihet në këtë parlament apo jo? Jo nuk rrihet. Jam këtu për t’i shprehur solidaritetin tim në emër të PD, kombit Ukrainas shqiptarëve, ukrainasve kudo që janë. Jam këtu për të ngritur zërin, për të ndihmuar Ukrainë që kërcënohet nga një barbari. Duhet bërë gjithçka për të ndihmuar këtë vend, të paktën fishekë mund t’u dërgohen atyre. Por argati i Beogradit jo më kot hesht . Ju zotërinj deputetë duhet ë ngrini zërin, ju përfaqësoni PD jo Lul Bravën. Nuk mundet këtu të dominojë Beogradi më udhëzimet e tij, e kam thënë më mijëra herë Ballkani i hapur është me influencë ruse’, tha më tej Berisha.

Nga ana e tij kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se askush tashmë nuk pranon të merret me non-gratat duke iu referuar në këtë mënyrë ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai gjithashtu theksoi se nuk mund të harrohet i gjithë dëmi që i është bërë aseteve të mbrojtjes së vendit.

‘Në shqiptarët e dimë se si u shitën fishekët, po falë drejtësisë së re  do të mund të gjendet se si u shpërdoruan në këto vite të gjitha asetet e mbrojtjes. Asnjë prej nesh nuk ka kohë të merret me non-gratën e këtij Kuvendi. Doja të flisja për një marrëveshje që kemi me Komisionin Europian që mban një instrument kryesor financiar të bashkëveprimit me BE. Sot është dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të Holokaustit dhe na takon që konfirmojmë formën e shprehjes së tolerancës. Lidhur me ato që foli ish-deputeti, për qëndrimin e  Shqipërisë kundër asaj që po instrumentalizon dhe përgatit Rusia është i qartë me të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe në radhë të parë me SHBA. Angazhimi i Shqipërisë në kuadër të NATO-s do të jetë gjithmonë. Pozicioni i Shqipërisë është i qartë’, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb