NGA SILVI BARDHI
Jam nënë e dy fëmijëve të shëndetshëm, të ardhur në këtë botë pas një martese të lumtur dhe shumë të dëshiruar për trashëgimtarë.

Lindjet e të dy fëmijëve të mi zgjodhëm t’ia besojmë mjekëve shqiptarë, në maternitetin shtetëror. Ndjej detyrimin, pas lajmit që tronditi të gjitha nënat shqiptare të humbjes së jetës së Aidës, 35 vjeç bashkë me frytin e saj, të falënderoj një prej mjekeve më të mira të Maternitetit “Koço Gliozheni”…
E di që ky mesazh, për të do të ishte mëse i tepërt falë modestisë që mbart dhe për këtë arsye dua të ndaj me ju eksperiencën time.

Ditën e parë kur iu drejtova maternitetit “Koço Gliozheni”, mbaj mend të kem qenë e 50-a në radhë. Doja të takoja një mjek. Atë kohë punoja gazetare në televizion dhe siç ndodh rëndomë në Shqipëri, që radhët nuk respektohen, u mundova të mbaroj punë sa më shpejt e t’u them se jam gazetare e dua të takoj një mjek të mirë. Lola, një grua e fisshme, flokë biondë kaçurrel, e qeshur dhe mjaft strikte në punë, ishte në recepsion. Vazhdon ende të jetë aty dhe me po të njëjtën dashuri më takon edhe sot pas 4 vitesh njohjeje.

Anikën tako më tha, është e mirë. Ok, iu përgjigja, pa ditur se pas këtij emri qëndronte një grua e shkathët, mjaft e aftë, me përgjigje të shpejta dhe vëmendje të veçantë ndaj pacientëve. E prita, mbaj mend, më shumë se një orë. Duhej të isha në redaksi. U shkruaj redaktorëve se do të vonohem ca. Më mirëkuptuan.

Më pas dhjetëra gra prisnin në radhë. Pjesa më e madhe e tyre shtatzënë. Shumica prej tyre ndiqeshin me Anikën. Ajo e qeshur dhe shumë e lumtur, vinte pas një lindje të suksesshme. “E di çfarë topçe lindi? Ishte vajzë. Nëna vuajti, por të dy janë shëndoshë e mirë, i tha kolegëve”. Aty fitova një siguri, se jam në duar të sigurta. Në konsultën e parë, pasi mora këshillat e duhura , u miqësuam deri aty sa lindjet nuk mendoja dy herë për t’i lënë në duart e saj. “Mjekët i kemi shumë të mirë Silvi, më tha, por mjetet lënë shumë për të dëshiruar”. Kemi mjaft mangësi, ndaj rastet i rekomandojmë ose në spitalet private, ose jashtë”.

Ajo ndjente një respekt të jashtëzakonshëm për stafin e maternitetit. Një reflektim i tillë u përçua edhe tek unë që prej vitesh nuk kisha shkelur në një institucion shëndetësor, për të cilën të urojnë të mos e përjetosh kurrë për keq. Në të dy ndjekjet e mia të shtatzënisë, unë i jam falënderuese stafit pavarësisht ekranit me miza të ekos, në të cilën prisja me ankth rrahjet e zemrës së bebit tim. Përkujdesja e tyre meriton një falënderim publik.

Ndjehem thellësisht e lënduar për fatkeqësinë që i ndodhi Aidës dhe frytit të saj. Ky është një rast që çan zemrën e çdo nëne…
Mirëpo, edhe në këto ditë të trishta, nuk mund të harrohet profesionalizmi dhe lumturia që na kanë dhënë mjekët. Anika, faleminderit ty dhe Zotit për përkrahjen morale dhe shëndetësore. Falë teje dhe Zotit familja jonë është e plotësuar. Falë mjekëve të përkushtuar, shumë familje sot jetojnë të lumtura.
Qofshi të bekuar, në këtë profesion të vështirë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb