Situatë kaotike në qendrën e konsultave në QSUT. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se radhë të gjata qytetarësh janë krijuar në godinën e konsultave dhe megjithëse me planifikim, ata janë të detyruar të presin mbi 4 orë vizitën tek mjeku specialist në spitalin “Nënë Tereza”.

Pacientët ankohen për radhët dhe sorollatjet ndërsa thonë se janë nisur nga ora 4 nga Korça për në Tiranë apo rrethe të tjera për t’u vizituar në gjendje të rënduar nga sëmundjet kronike dhe nuk dinë se kur do mund të mbarojnë punë dhe të vizitohen.

Pacientët e quajnë të gabuar përqendrimin e të gjitha vizitave terciare në një ndërtesë tre katëshe.

Radhët janë krijuar për shkak të fluksit të lartë të pacientëve që referohen nga rrethet dhe pamundësia e qendrës së konsultave për të trajtuar rastet me rekomandim. Kjo, edhe për shkak të personelit të cunguar, një pjesë e të cilit janë me lejes se zakonshme si dhe centralizimit të shumë shërbimeve vetëm në Tiranë.

Për një firmë, një i sëmurë kronik edhe nga skaji më i largët i Shqipërisë duhet të paraqitet në QSUT në një interval kohe të parapërcaktuar për të marrë në farmacinë spitalore ilaçet me rimbursim pasi kjo e drejtë i është caktuar vetëm spitalit “Nënë Tereza”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: