SHKODËR

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shkodër sot për të biseduar me qytetarët. Gjatë aktivitetit të organizuar, e para që foli ishte kandidatja e PS, e para në listë në Shkodër Edona Bilali.

Me shumë pathos, ajo tregoi se përse hyri në politikë duke rrëfyer se vitin e kaluar në mars për herë të parë kishte ndjerë frikë për prindërit e saj për shkak të pandemisë, por se sot Shqipëria është rast suksesi vetëm falë kryeministrit.

Sipas saj, kryeministri na garanton jetën dhe ai u përul para tërë botës për popullin e vetë. Duke kërkuar votën e shkodranëve, ajo tha se Rama është i vetmi që bën për Shkodrën.

“Do duket zi, por jam e bindur se çfarë do që të kishim transmetu ne sot një pjese zi do u dukej se zi e shohin politikën. Unë sot kam ardhur të flas me ta dhe kam një mesazh për të gjithë ata që e shohin zi politikën. Kam ardhur t’iu tregoj sot se politika nuk është zi. Kur kryeministri më ftoi për të kryesuar listën vetë u ndodha në një udhëkryq sepse vetë isha si shumë prej tyre. Ankohesha pa fund dhe për qeverinë Rama dhe për gjithë politikën në përgjithësi, por në atë moment kisha dy zgjidhje, o me vazhdu me u anku dhe mos me bo këtë gjë, ose me u vu në dispozicion dhe me provu me bo një ndryshim dhe zgjodha të bëj këtë të dytën, të vihem në dispozicion për qytetin tim të zemrës, Shkodrën. E di shumë mirë që vetëm nuk mund t’ia dal. E di shumë mirë që as kryeministri vetëm nuk mundet me ia dalë. Ne mund të ia dalim në një formë, në qoftë se bëhemi të gjithë bashkë. Të tanë bashkë për Shkodrën, të tanë bashkë për tanë Shqipërinë. Më pyetën në fillim ‘Edonë a je ti’, se e dinin shumë mirë që nuk kisha lidhje dhe isha shumë mirë në profesionin tim. Telefonatat e njerëzve më të afërt më pyetën Edonë ç’pate ti ishe rehat dhe është e vërtetë në fakt. Isha rehat për veten, por a jam unë rehat kur qyteti që du me gjithë zemër e shpirt është siç është sot e mbuluar nga një re gri, si elektorati që e pretendon veten gri që e sheh veten mbi politikën. E vetmja gjë jo gri, që ka filluar me e zbardh pak Shkodrën është ajo Shiroka, që dhe për të dëgjova komente.
Ajo që do të bëj është që do të trokas derë me derë në Austri, Itali, ku të mundem për të prurë kompani të huaja në Shkodër që ato me i hap vendet e punës, jo deputeti. Rininë nuk do i mbaj me birra për me i pas mbrapa vetes, me i depersonalizu. Ajo që do bëj është do i rri mas dere kryeministrit deri sa Shkodra të ketë qendrën e vet të inovacionit, deri sa çdo shkodrani t’i jepet mundësia për të qenë aty ku e meriton, në majë. Pastaj sigurisht që do i pi dhe birrat me ta, por kur të festojmë sukses pas suksesit. Kryeministrin e kemi parë në shumë profile, por kemi arritur ta njohim në dy vitet e fundit. Këtu dua të ndaj ku më është ndryshu mendja mua, momenti.
Vjet në mars për herë të parë kam pasur frikë për jetën e prindërve të mi, siç mendoj që kanë pas frikë një pjesë prej jush. E nesërmja ishte e pasigurt në të gjithë Europën dhe botën. E kam ndjekur si intelektuale aktualitetin e gjithë politikanëve të Europës. Çfarë shihja, shihja një kryeministër që u përul para tërë botës për popullin e vet dhe që ne sot jemi rast suksesi. A ka integrim më të madh se ky sot. Kërkojmë integrimin…Një kryeministër që sot fillimisht na garanton jetën, që nuk ka çmim, që falë tij sot ne arrijmë 500 mijë vaksina në maj dhe që lufta e shekullit është e fituar, kush e bëri këtë. Kolegët e tij sot në Europë janë akoma duke luftuar për disa vaksina dhe janë mbrapa me doza se Shqipëria. Shih ku jemi ne. Popull i dashur në qoftë se kaq nuk mjafton për m’iu thënë çohuni një herë të vetme dhe jepjani votën me kërkesë llogarie nga pas. Jo vetëm fjalë, fjalë, fjalë. Ky s’bën ai nuk bën. Kush bën. Në qoftë se bën dikush për Shkodrën dhe e kthen ashtu siç ka qenë ka vetëm një njeri, është kryeministri i Shqipërisë”, tha Bilali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb