4 fitore radhazi, Milani nuk i kishte bërë kurrë këtë sezon, “djalli” ringjallet plotësisht, ndërsa blindon prezencën e tyre në Champions, kap Inter me 47 pikë në Serie A. “Banda” e Piolit zhvilloi një ndeshje perfekte përballë Atalanta-s së Gjimshitit, siguroi një tre pikësh të artë përballë një rivali direkt pas fitores së pastër 2-0. Kjo ishte një mbrëmje ku kishin më shumë se një arsye për të festuar, më në fund pas 280 ditësh në fushë rikthehet Zlatan Ibrahimovic. Pas 5 muajsh në portë u rikthye edhe Maignan. Një ndeshje shumë të mirë zhvilloi edhe Rafa Leao, protagonist në çdo aksion sulmues.

Goli i avantazhit erdhi në minutën e 25-të ku Theo Hernandez me një goditje fluturimthi gjeti fillimisht shtyllën dhe më pas trupin e portierit Musso për të sjellë festë në “San Siro”. Giroud, Leao dhe Messias shpërdoruan jo pak, ndërsa goli i sigurisë erdhi vetëm në minutën e 86-të me brazilianin që finalizoi me shumë klas një aksion të bukur.

Në përfundim të sfidës, Stefano Pioli shijon këtë sukses: “Nuk i kishim bërë kurrë katër fitore radhazi këtë sezon. Skuadra është shëruar, sigurisht nuk do të jemi më perfekt, por ekipi po kthehet të bëjë lojën që na karakterizon. Rikthimi i Ibrës dhe Maignan na jep më shumë besim pasi janë jo vetëm dy lojtarë të mirë, por dhe dy lider në fushë”, u shpreh Pioli pas ndeshjes.

Gjimshiti
Gjimshiti

Atalanta përjetoi një mbrëmje të erret në “San Siro” ku nuk goditën asnjë herë kuadrat, ndërsa Berat Gjimshiti ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë për ekipin e tij, i vlerësuar me notën 6.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb