TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka replikuar me disa nga ndjekësit dhe komentuesit e tij në “Facebook”, pasi ka publikuar sot një video nga rindërtimi i urës së Drojës në Lezhë.

Një prej komentuesve e kryqëzon kryeministrin për arritjet e Shqipërisë dhe me ironi i thotë se Shqipëria është një shtet i fuqishëm që pret dhe emigrantë. Duke i numëruar ‘arritjet’, komentuesi i thotë se nuk futi në burg asnjë nga ata që vodhën shtetin. Sërish në të njëjtën linjë, qytetari e quan kryeministrin “diell të shqiptarëve”.

Nuk ka munguar përgjigjja e Ramës, i cili pasi i kundërshton problematikat e përmendura nga komentuesi, i thotë se tallja nuk e bën më burrë dhe e pengon të bëhet i mençur. Për sa i përket atyre që vodhën shtetin, kryeministri i përgjigjet se qeveria ka rol ekzekutiv dhe jo gjyqësor dhe se reforma në drejtësi është përgjigjja.

REPLIKAT
Komentuesi: Faleminderit Zoti Kryeministër për Urat që po ndërton. Ne nuk jemi si disa shtete në Europë që i bien urat ne jemi shtet i fuqishëm, shtet që pret emigrantë. Rroga mesatare tek ne është 250 mijë lek të vjetra dhe puna më e kërkuar është kamerier, falë punës së palodhshme të Kryeministrit i kemi arrit këto stade jetese. Faleminderit o “dielli” shqiptarëve. Edhe kur u thua shqiptarëve që ata të parët vodhën dhe ne po lajme borxhet e atyre prapë je i madh. Se nuk fute asnjë në burg nga ata që vodhën shtetin por thjesht fute disa hallexhinj që s’paguanin dot dritat. O Gjigand o i gjatë ✌️✌️??????

Edi Rama: I dashur Lorenco! Nuk më vjen keq për këtë mesazh tallës, po për faktin që ti me siguri kujton se jo vetëm ke të drejtë, por edhe ke shkruar diçka vërtetë therëse! Më vjen keq sepse së pari, një punë e mirë, e madhe apo e vogël, respektohet nuk përqeshet dhe kjo është një punë e mirë, do ti s’do ti!
Së dyti, rroga mesatare në Shqipëri nuk është 250 mijë lekë, minimalja po dhe jo shumë vite më parë ka qenë 150 mijë lekë! Është pak? Patjetër që është pak, madje shumë pak, por ti duhet të mësosh se rrogat nuk rriten sipas nevojës po sipas mundësisë dhe vendet nuk i zgjerojnë mundësitë e tyre sipas dëshirës, po me mundime të mëdha për vite, dekada e madje shekuj të tërë! Së treti, ti duhet të mësosh se në sistemin ku jetojmë, kryeministri nuk fut dot në burg askënd, sepse ai drejton pushtetin ekzekutiv, ndërkohë që pushteti gjyqësor nuk varet as nga kryeministri e as nga qeveria. Këto duken të thjeshta, po duhen mësuar, siç duhet mësuar edhe që asnjë hallexhi s’ka shkuar në burg pse s’paguan dritat apo që Reforma në Drejtësi është përgjigja për hallin e zullumeve të pandëshkuara, por nuk bëhet sa hap e mbyll sytë, e të tjera e të tjera… Nuk po të lodh më shumë se në talljen tënde ka edhe të tjera shprehje të mungesës së dijes e të informacionit, por një gjë besoma: Mund të lozësh me telefonin e të tallesh me kë të duash, edhe me mua, sa të duash, asnjë problem, por kjo jo vetëm nuk të bën më burrë, më të mençur, më të aftë, po përkundrazi, të pengon të bëhesh ndonjëherë i atillë. Qofsh mirë e paç fat?

Komentues 2: Je i vetmi kryeministër që publikon punët që bëhen me lekët e popullit bravo, shpresoj që dronin ta kesh blerë me lekët e tua apo ja more hua Salës (dronin )??
Edi Rama: ?Rrofsh se më bëre të buzëqesh? Kryeministrat nuk dallohen se kush i bën punët me lekët e popullit dhe kush me lekët e veta, po kush i bën mirë e kush jo punët që kudo në botë bëhen me taksat e qytetarëve! E dyta, kjo puna këtu për shembull, nuk është bërë me lekët e popullit, po me lekët e një kompanie në atë zone, po pyetja ime është, çfarë të shqetëson ty kur shikon punë të mira që bëhen?! Dhe e fundit, vrite një çikë më shumë mendjen për dronin, se nuk i ke rënë pikës?

Komentues 3: Punimet i kam pa nga afër janë shumë cilësore nuk ka shanse të shembet më, por falënderojmë fabrikën që po e bën me lekët e veta dhe përfitojmë dhe ne.
Edi Rama: Pyetja nuk është asnjëherë në këto raste ku u gjetën lekët për ta bërë një vepër publike, po si organizohet e sa cilësore është puna ndërtuese dhe në këtë drejtim (edhe në këtë rast), me lejo te të them që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rol kyç, në të mirë e në të keq! Shembuj për të keqen ke plot, për të mirën do kesh gjithnjë e më shumë?

  • foto galeri
  • foto galeri

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: