Ambasadori i BE, Luigi Soreca, vlerësoi procesin e Vettingut, duke u shprehur se ai duhet të vazhdojë dhe të përfundojë, pasi sipas tij, po bëhet pikë referimi në rajon, por edhe më gjerë.

I pyetur nga gazetarët, gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama, se çfarë standardi po përdor BE me sundimin e ligjit në Shqipëri, ambasadori Soreca deklaroi se Komisioni Evropian është shumë i qartë për standardin e sundimit të ligjit.

“KE është shumë i qartë për standardin e sundimit të ligjit në BE. Në BE po merren hapa kundrejt atyre shteteve anëtare që nuk i përgjigjen këtyre kritereve. Në Shqipëri, Reforma në Drejtësi është përkthimi i të njëjtave parime. Kur u mor vendimi qartësisht nga Kuvendi i Shqipërisë për të miratuar Reformën në Drejtësi kemi pasur një situatë specifike për gjyqësorin. Kjo është arsyeja pse u mor vendimi për të kaluar procesin e Vettingut. Ky po shihet dhe nga vendet e tjera që janë të interesuara, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vende të tjera. Është e rëndësishme që procesi i Vettingut jo vetëm të vijojë, por edhe të përfundojë në Shqipëri, pasi po bëhet pikë referimi në rajon, por edhe më gjerë”, u shpreh ambasadori Soreca.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb