Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme pasi kundërshtojnë projektin e rrugës Thumanë-Kashar.

Ata shprehen se kanë kërkuar ballafaqim me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje prej tyre.

“Ne jemi të pambrojtur. Shteti nuk na jep zgjidhje. I bëj thirrje kryeministrit dhe ministres së Infrastrukturës. I kemi kërkuar dialog disa herë, nuk kanë pranuar të vijnë të diskutojmë. I bëj thirrje të vijnë të prezantojnë planin për këta banorë, pronat dhe banesat tona.

Kemi pasur komunikim me Kadastrën por nuk na ka dhënë zgjidhje të plotë. Pasi tha se ishin bllokuar veprimet për shkak të fushatës. Duhet të jenë zhbllokuar tani se fushata mbaroi, zgjedhjet u krynë dhe ata duhet të fillojnë me certifikimin e pronave dhe banesave. Duhet të na jepet zgjidhje siç e parashikon ligji. Pronat të dëmshpërblehen me vlerën e tregut. Duke parë pasojat që na dha tërmeti.

I bëj thirrje shtetit të vendosë çmim të drejtë dhe të saktë për të gjitha banesat sepse nesër njerëzit do ngelen në qiell të hapur. Të mblidhen këshillat bashkiakë, MiE dhe të vendosë mbi trojet ku do  ndërtohen këto banesa që i prek ky segment rruge. Duhet të dalin me vendim mbi trojet dhe banesat që preken nga ky vendim”, u shprehën ata ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb