Deian Boldor e nisi me trofe aventurën te të kuqtë dhe më mirë se kaq, as nuk e kishte ëndërruar. Ka pak kohë që është transferuar në kryeqytet, e megjithatë ka dëshmuar se është një element kyç për prapavijën. Bashkë me Belicën e Bitrit, lojtari i ardhur në formë huazimi nga Verona, ka shtuar garancinë në mbrojtje.

Tashmë që Kategoria Superiore është në prag, rumuni “skanon” startin. Edhe pse ia dolën më së miri të dielën ndaj Kukësit, shtatlarti mendon se kjo e premte do të rezervojë një duel tërësisht ndryshe. Nuk pret që kundërshtari t’ua bëjë të lehtë. “Mendoj se janë ndeshje të ndryshme.

Të parën e luajtëm për një trofe të rëndësishëm, për klubin e tifozët. Tani do të luajmë për kampionatin dhe Kukësi do të jetë i përgatitur. Nuk do të na e bëjë të lehtë aspak të premten”, kështu u shpreh fillimisht Boldor, gjatë prononcimit të dhënë për “RTSH”.

SYNIMET

Partizani kërkon që ta nisë mbarë kampionatin dhe duket se “uria” nuk i mungon, gjë që e pranon edhe rumuni: “Do të shihni Partizanin të uritur për të fituar. Do të bëjmë gjithçka për të treguar se jemi gati për të nisur sezonin. Të gjithë po sigurohemi që të japim sa më shumë në fushën e blertë dhe për ta çuar drejt sukseseve këtë ekip”.

ANALIZA

Vërtet mposhtën pastër Kukësin, por problemet e Partizanit ishin evidente ndaj Kukësit në Superkupë. E megjithatë, 24-vjeçari saktëson se skuadra ka analizuar me detaje gjithçka dhe është gati për të korrigjuar çdo mangësi që u pa të dielën.

“Ne gjithmonë i analizojmë ndeshjet pasi kanë përfunduar dhe shohim me vëmendje ku kemi gabuar apo bërë mirë. E rëndësishme është që e gjithë skuadra të kuptojë se analiza na ndihmon shumë të përmirësohemi individualisht. Shpresojmë që ndaj Kukësit të mos bëjmë të njëjtat gabime”, përfundoi Deian Boldor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb