Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u takua me bizneset tek rruga e Kavajës, të cilët treguan problemet e përditshme që po i çojnë drejt falimentimit. Gjatë bashkëbisedimit me bizneset, ata i janë ankuar Tabakut për shqetësime që lidhen me punën e tyre.

“E kam votuar dhe e kam përkrahur në 2013. Thjesht ashtu mendoja, thashë me atë të majtë do ecim përpara, por kam 22 vite dhe periudhë më të vështirë nuk kam kaluar ndonjëherë. Ja ku është puna! Gjithë malli i marrë i pashitur për t’u futur në kutia.”- thotë tregtari, i cili tregon edhe vështirësitë e pandemisë.

“Gjatë pandemisë mora vetëm 260 mijë lekë, ndërsa shpenzime pagova gati 1 milionë e 200 mijë Lekë në muaj. Si kanë ardhur punët, dua nja 3 vjet ta kap veten që të ec më përpara, se vetëm lekë po paguajmë dhe nuk marrim gjë. Këtej thonë arsimi falas, shëndetësia falas. Vdes nga shëndetësia e tyre. Jo më larg se para 3 ditësh, kishim një vaki, një njeriun tonë të afërm. Më kanë sorollatur spitalit, që unë s’e harroj.”, -thotë tregtari.

Jorida Tabaku i ftoi bizneset t’i bashkohen ndryshimit në 25 prill, në mënyrë që qeveria të jetë krah individit dhe të kujdeset për mirëqenien e tij.

“Në 5 minuta më the gjithë problemet që ka sot Shqipëria. Kjo është Shqipëria reale! Jo ajo që del nëpër grafikët që nuk ekzistojnë. Ne do të ngremë një model dhe sistem ku të vlerësohet puna. Ku të vlerësohet familja, ku të vlerësohet individi që punon dhe të largohemi nga ky modeli sot që mbron dhe vlerëson vetëm kriminelin dhe vetëm shokun e Edi Ramës. Njerëzit si ty e bëjnë Shqipërinë! Ne duam që një i ri që hap biznes të ketë mundësi, të shohë shpresë. Dua që të ngremë një model që ta mbështesim të riun dhe më të mirin.”, pohoi Jorida Tabaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb