TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka komunikuar sot me qytetarët dhe iu është përgjigjur komenteve të tyre në “Facebook” për 21 janarin dhe drejtësinë në Shqipëri. Rama tha se drejtësia me reformën në drejtësi është një proces shtetndërtimi i i ngjashëm me rritjen e një fëmije që do kohën e vetë.

“Sabotohet nga mëngjesi deri në darkë, por ecim. Unë do doja të kishim ecur shumë më shpejt, por objektivisht a mundet të ecte më shpejt. Nuk e di, nuk jam i sigurt sepse shtetndërtimi është një proces shumë i ngjashëm me rritjen e një fëmije. Nuk mundet dot që në një vit ta rrisësh fëmijën 5 vjet. Do kohën e vet. Këto janë një reflektim mbi një sërë komentesh që lexova”, tha Rama.

Ai theksoi se nuk ka lidhje e mandatin, por se megjithëse e sotmja është më shumë blozë e ardhmja do të jetë rozë.

“Nuk ka lidhje me mandatin. E ndiej barrën e madhe të kësaj padrejtësie për 1001 arsye dhe lidhja e vazhdueshme me familjet ma bën këtë shumë të nxehtë, por e thashë kjo nuk ka lidhje me mandatin e qeverisë, nuk ka lidhje me politikën, ka lidhje me institucionet e drejtësisë. Kemi bërë një reformë drejtësie, e cila nuk është perfektë dhe procesi i zbatimit të saj nuk ka se si të jetë perfekt. Patjetër ka të papritura, pengesa, gabime dhe momente kur të duket se projekti nuk funksionon, por janë pjesë e një procesi, është rritja e një fëmijë ku asgjë nuk është lineare, procesi vazhdon. E ardhmja është rozë, e sotmja patjetër që është më shumë blozë se sa rozë. Nëse do ishte kaq e thjeshtë të gjithë do kishin bërë kështu. Fakti që ka shumë vende  do të thotë që ka procese që kanë ritme të ndryshme”, u shpreh Rama.

Drejtësia e vonuar nuk quhet drejtësi? Rama deklaroi se drejtësia është gjithmonë drejtësi.

“Është shumë e vërtetë që homazhet dhe buqetat janë respekt, por homazhet dhe buqetat më të mira janë dënimet për fajtorët”, tha ai.

Teksa një komentues ka shkruar se qeveria është njësoj si ajo e mëparshmja, Rama tha se ‘ata përpara vrisnin protestues të pafajshëm, kurse ne kemi vënë gurin e themelit në drejtësi’, ose në mënyrë metaforike gurin e themelit për ndërtimin e një katedraleje aty ku ishte një kënetë.

“Ata përpara vrisnin njerëz, protestues të pafajshëm, të parrezikshëm. Vrisnin protestues që ishin qytetarë në të drejtën e tyre, kurse ne nuk kemi bërë asgjë, por diçka shumë të mëdha. Diçka për të cilën historia do flasë shumë qartë që është reforma në drejtësi. Ne kemi vendosur një gur themeli për një ngrehinë komplet të munguar. Për ndërtimin e një katedraleje aty ku ishte një kënetë. Ne e kemi shlyer pjesën tonë të detyrimit. ne nuk japim dënime, nuk burgosim njerëz sepse jemi në një sistem demokratik”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: