JERUSALEM-Përleshje janë regjistruar sot në mbrëmje mes policisë izraelite dhe dy mijë izraelitëve me origjinë etiopiane, të cilët manifestonin kundër racizmit të policisë, theksoi një gazetar.

Manifestuesit i ishin afruar residencës së kryeministrit, Benjamin Netanjahu, pasi kishin bllokuar një rrugë para komisariatit të përgjithshëm të policisë. Policia ka bllokuar manifestuesit me ndihmën e një zjarrfikëseje.

”Forcat e sigurisë kanë hedhur gjithashtu granada lotsjellëse”, theksoi një zëdhënës i policisë duke shtuar se tre policë ishin plagosur nga hedhja e gurëve dhe dy manifestues ishin arrestuar.

Manifestuesit ishin mbledhur për të protestuar kundër incidenteve të ndodhura mes policisë dhe anëtarëve të komunitetit të tyre këto ditët e fundit.

“Stop dhunës policore kundër hebrenjve me ngjyrë”, thërrisnin protestuesit, njëri prej të cilëve mbante një pankartë ku shkruhej: “Në Evropë, i kanë vrarë hebrenjtë sepse ata ishin hebrenj, dhe në Izrael i vrasin sepse ata janë me ngjyrë”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: