Grupi palestinez Hamas ka deklaruar se vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit hap portat e ferrit.

Hamasi kishte paralajmëruar për rrezikun e një intifade të re ndërsa Trump kishte konfirmuar qëllimin e tij për të transferuar ambasadën amerikane në Jerusalem. Ndërkohë, në Gaza, po zhvillohen marshime proteste.

Abu Mazen: SHBA-të po heqin dorë kështu nga roli i ndërmjetësuesit
Në një fjalim drejtuar Kombit, presidenti palestinez Abu Mazen shpjegoi se “vendimi i sotëm i Trump është i barabartë me një heqje dorë nga Shtetet e Bashkuara për rolin e ndërmjetësit të paqes”, duke nënvizuar gjithashtu se si ky pozicion i ri është në kundërshtim me të gjitha rezolutat ndërkombëtare mbi Jerusalemin, raporton TgCom, shkruan “BalkanWeb”.

“Jerusalemi, kryeqytet i përjetshëm i Palestinës”
Abu Mazen tha gjithashtu se kishte urdhëruar delegacionin diplomatik palestinez të largohej nga Uashingtoni dhe të kthehej në shtëpi. “Jeruzalemi – këmbënguli ai – është kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Palestinës”. Presidenti palestinez akuzoi gjithashtu Trumpin për ofrimin e një shpërblimi të pamerituar për Izraelin “i cili gjithashtu shkel të gjitha marrëveshjet”, raporton TgCom24.

Tetë vende, thirrje për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Tetë shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Bolivia, Egjipti, Franca, Italia, Senegali, Suedia, Britania e Madhe dhe Uruguai) kanë bërë thirrje për një takim urgjent për vendimin e Presidentit Trump, bëjnë të ditur burimet diplomatike të OKB-së. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit duhet të mbahet deri në fund të javës, ndoshta të premten.

Macron: Vendim i mjerueshëm
Përveç reagimit të parashikueshëm palestinez, reagime kundër iniciativës së Trump vijnë edhe nga aleatët e SHBA. Presidenti francez, Emmanuel Macron, për shembull, flet për një vendim “të mjerueshëm”, dhe duke i ftuar të gjitha palët që të qetësohen, thekson se Elizea në çdo rast “nuk e miraton” zgjedhjen e Shtëpisë së Bardhë.

Guterres: Në rrezik perspektiva e paqes
I ashpër komenti edhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, sipas të cilit “vetëm duke realizuar vizionin e dy shteteve që bashkëjetojnë në paqe dhe siguri, me Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe të Palestinës, të gjitha çështjet mbi statusin do të zgjidhen në mënyrë përfundimtare përmes negociatave dhe aspiratat legjitime të të dy popujve do të arrihen”. Numri një i Kombeve të Bashkuara thekson se “që nga dita ime e parë këtu kam deklaruar vazhdimisht veten kundër çdo mase të njëanshme që rrezikon perspektivën e paqes”.

BE: Jeruzalemi të jetë kryeqyteti i dy shteteve
“Bashkimi Evropian shpreh shqetësim të madh pas njoftimit të Presidentit Trump për Jeruzalemin dhe pasojat mbi perspektivat për paqe”. Kjo është deklaruar në një deklaratë nga Përfaqësuesja e Lartë i BE-së për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, duke nënvizuar se “duhet të përmbushen aspiratat e të dyja palëve dhe duhet të gjendet një rrugë përmes negociatave për të zgjidhur statusin e Jeruzalemit si kryeqytetin e ardhshëm të dy Shteteve”.

Merkel: Gjermania kundërshton vendimin e Trump
Kancelarja gjermane Angela Merkel u distancua nga njohja e Presidentit të SHBA Donald Trump të Jerusalemit si kryeqyteti i Izraelit. “Qeveria gjermane nuk e mbështet këtë sjellje, sepse statusi i Jerusalemit duhet të negociohet brenda kuadrit të zgjidhjes mes dy shteteve”, shkroi më ‘Tëitter’, zëdhënësi e Kancelares, Steffen Seibert.

Ankaraja: Vendimi i SHBA-ve minon paqen dhe stabilitetin
“Ne dënojmë deklaratën e papërgjegjshme të administratës amerikane për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit” që “do të ketë efekte negative në paqen dhe stabilitetin në rajon”. Kështu shkruan në “Twitter”, Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Cavusoglu, duke botuar një shënim ku i kërkohet administratës amerikane “të rishqyrtojë këtë vendim të gabuar”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: