I qetë, i çlirët dhe entuziast. Shpesh hokatar me pyetjet e natyrshme e ndonjëherë si njeriu para pasqyrës, kritik me veten, pohues me të vërtetat. Gjirokastra dhe Vlora, Moska dhe Tirana, frika dhe shtypja e mbi te gjitha letërsia.

Shkrimtari i madh Ismail Kadare, ka qenë në Vlorë  në një takim me të rinjtë, ku u promovua libri, “Kohë për rrëfim. Dialog me Alda Bardhylin”. Biseda me të rinjtë nisi të rëndësia e lexuesit, ku çmoi peshën që ata kanë te autori

“Lexuesi është gëzimi dhe hidhërimi i tyre. Se e ndjen kur lexuesi është ftohur me ta e nuk i do më. Ne shkrimtarët e kemi fatin tonë të lidhur me librat që kemi shkruar, dilemat tona janë të ndrydhura në to”, tha Kadare.

Jeta e tij që nga fëmijëria deri te ngjarjet më të rëndësishme të jetës, rrëfehet e plotë, duke zbuluar detaje. Pavarësisht sistemit kur jetoi, ai zbuloi se shpesh ishte i shkëputur prej kohës së tij.

“Kam qenë një artist i lumtur. Po të më dëgjojë njeri, me një gjykim të thjeshtë, do thotë që paske qenë një nga ata që mbanin gjallë regjimin. Si paske qenë i lumtur? Por, arti nuk e pranon këtë gjë. Arti lind në çdo kohë, ai lind edhe në fatkeqësi. Kam qenë i lumtur kur kuptoja që kisha bërë art të vërtetë” sqaroi ai.

I pyetur për letërsinë në kohë të ndryshme, Kadare u shpreh se

” Nuk mund të thuash kurrë frazat mendjelehta se në kohën tonë nuk bëhej art e dikur bëhej. Arti bëhet kurdo, edhe kur ai duket sikur po jep shpirt. Shtypja e tmerri është ndjesi shumë e fortë, që mund ta stimulojë veprën” u shpreh Kadare.

Kërshëria e të rinjve mbi dëshirën e tij për t’u arratisur nga komunizmi drejt lirisë , zbuloi frikën e tij për familjen.

“Dilema që ka tortutuar dhjetra mijëra shqiptarë gjatë komunizmit, ishte ikja e mos ikja nga Shqipëria. Ka qenë vërtetë tragjike, kjo dilemë. Kush e paguan? Është e durueshme apo e padurueshme pagesa? Mund të kisha ikur dhjetëra herë nëse do ta përballoja çmimin dhe ndergjegjen time se kush do ta paguante ikjen time” tha ai duke lënë te kuptohej internimi i familjarëve që mbeteshin në Shqipëri.

Në një rikthim pas 20 vitesh në qytetin bregdetar, shkrimtari tregoi vizitat atje dhe si e gjen qytetin.

“Vlorën e gjej si një qytet që e kam njohur nga fëminia, adoleshenca dhe më pas. Qytet shumë i dashur për letërsinë, që ne shkrimtarëve na ftonte me shumë dashuri. Siguirisht që është bërë shumë më i bukur si  qytet, ka ruajtur çdo gjë të mirë dhe ka kultivuar gjithçka të përjetshme dhe  çdo shkrimtar është vërtetë i lumtur që gjen një dashuri të tillë për letërsinë, si askund tjetër gati”, tha ai para të rinjve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb