Një libër i Fatos Lubonjës me tregime mbi personazhet që ka njohur në burgje është botuar në gjuhën angleze. Ai është ftuar në BBC Radio ku ka folur për librin dhe diktaturën në Shqipëri

“Jetë burgu” që në anglisht është botuar me titullin “Si një i burgosur” i Fatos Lubonjës. Ai përmbledh një koleksion tregimesh të shkurtra për 17 vitet e dënimit me burg përmes historive të 11 të burgosurve polikë që Lubonja ka njohur gjatë viteve të dënimit të tij në diktaturë. Libri është përkthyer në gjuhën angleze nga John Hodgson dhe mban logon e botimeve “Istros books”. Këtë muaj, Fatos Lubonja ka qenë në Londër ku ka promovuar librin e tij. Ai është ftuar edhe në BBC, ku ka folur për botimin dhe karakteret psikologjike të shokëve që ka njohur gjatë dënimit, fatet tragjike, edhe pse shpesh motivet e tyre të sjelljes mbeten të errëta, megjithëkëtë, ky element nuk ju zbeh magjepsjen. BBC shkruan se libri është vlerësuar me çmimin “PEN”, ndërsa Lubonjën e prezanton si një figurë udhëheqëse në jetën politike shqiptare – shkrimtar, komentator televiziv dhe aktivist për të drejtat e njeriut.

“E vështirë të them pse përzgjodha këta personazhe, por ka disa raste janë disa kategori për të cilët kam shkruar”, thotë ai në BBC radio, ndërsa tregon për diktaturën dhe jetët e shqiptarëve atë kohë, si edhe jetën e dyfishtë- një maskë për jetën publike dhe atë jetën tjetër në shtëpi. Po ashtu ai ndalet te nevoja për të ndërtuar shpresën atë kohë, “Është e rëndësishme ti tregojmë këto histori dhe është e rëndësishme si i tregojmë. Duhet ta kuptojmë të shkuarën, të jemi kritikë”, thotë ai.

BBC vëren se Shqipërinë është një vend të vogël me vetëm 3 milionë banorë ku gjatë gjysmës së fundit të shekullit të 20-të, u përjetua një nga diktaturat më brutale dhe izolueset në histori. Shkrimtari shqiptar Fatos Lubonja, vëren BBC, është një nga të mbijetuarit. Ai u arrestua në moshën 23-vjeçare pasi autoritetet gjetën ditarët e tij të fshehtë ku ai kritikonte regjimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb