Jetëgjatësia në SHBA ra me një vit e gjysmë në vitin 2020, rënia më e madhe një vjeçare që nga Lufta e Dytë Botërore, thanë zyrtarët e shëndetit publik të mërkurën. Ulja si për amerikanët me ngjyrë ashtu edhe për amerikanët hispanikë ishte edhe më e madhe: tre vjet.

Rënia e prezantuar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka ardhur kryesisht falë pandemisë COVID-19, që zyrtarët shëndetësisë thanë se është përgjegjëse për afro 74% të rënies së përgjithshme të jetëgjatësisë. Më shumë se 3.3 milionë amerikanë vdiqën vitin e kaluar, shumë më tepër se çdo vit tjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara, me COVID-19 që shkaktoi rreth 11% të atyre vdekjeve.

Jetëgjatësia e afrikano-amerikanëve nuk ka rënë kaq shumë në një vit që nga mesi i viteve 1930, gjatë Depresionit të Madh. Zyrtarët shëndetësorë nuk e kanë ndjekur jetëgjatësinë e komunitetit hispanik për aq shumë kohë, por rënia e vitit 2020 ishte rënia më e madhe e regjistruar gjatë një viti.

Rënia e papritur është “në thelb katastrofike”, tha Mark Hayward, profesor i sociologjisë në Universitetin e Teksasit i cili studion ndryshimet e vdekshmërisë në SHBA.

Shkaktarë të tjerë përveç COVID-19 luajtën gjithashtu rol. Mbidozat e drogës ulën jetëgjatësinë, veçanërisht tek të bardhët. Vrasjet në rritje ishin një arsye më e vogël, por domethënëse për rënien e jetëgjatësisë tek afrikano- amerikanët, tha Elizabeth Arias, autore kryesore e raportit.

Probleme të tjera që prekën komunitetet afrikano-amerikane dhe hispanike, përfshinë mungesën e qasjes tek kujdesi cilësor shëndetësor, bashkëjetesa me më shumë njerëz dhe një përqindje më e madhe e kësaj popullsie në punë me paga më të ulëta që i detyroi shumë prej tyre të vazhdonin të punonin kur pandemia ishte në gjendjen më të keqe, thanë ekspertët.

Jetëgjatësia është një vlerësim i numrit mesatar të viteve që mund të pritet të jetojë një fëmijë i lindur në një vit të caktuar. Është një fotografi e rëndësishme statistikore e shëndetit të një vendi që mund të ndikohet si nga prirjet e qëndrueshme të tilla si mbipesha ashtu edhe nga kërcënimet më të përkohshme si pandemitë apo lufta.

Për dekada me rradhë, jetëgjatësia në SHBA ishte në rritje. Por kjo prirje ka ngecur për disa vjet, që nga viti 2015 para se të arrinte në 78 vjeç, e 10 muaj në vitin 2019. Vitin e kaluar, CDC-ja tha se ajo ra në rreth 77 vjeç, e 4 muaj.

Gjetje të tjera të raportit të ri të CDC-s

— amerikanët hispanikë kanë një jetëgjatësi më të madhe se amerikanët e bardhë apo me ngjyrë, por ata patën rënien më të madhe në vitin 2020. Rënia tre-vjeçare ishte më e madhja që kur CDC-ja filloi të gjurmonte jetëgjatësinë mes hispanikëve 15 vjet më parë.

— Jetëgjatësia e afrikano-amerikëve ra gati tre vjet, duke arritur në 71 vjet, e 10 muaj. Kjo nuk ka qenë aq e ulët që nga viti 2000

— Jetëgjatësia e bardhëve ra me afërsisht 14 muaj në rreth 77 vjet e 7 muaj. Kjo ishte shifra më e ulët për jetëgjatësinë e këtij grupi të popullsisë që nga viti 2002.

— Roli i COVID-19 ndryshon nga raca dhe përkatësia etnike. Koronavirusi ishte përgjegjës për 90% të rënies së jetëgjatësisë mes hispanikëve, 68% mes njerëzve të bardhë dhe 59% mes amerikanëve me ngjyrë.

— Jetëgjatësia ra gati dy vjet për burrat, por rreth një vit për gratë, duke zgjeruar një hendek që ka ekzistuar për një kohë të gjatë. CDC-ja vlerësoi se jetëgjatësia për meshkujt është 74 vjeç e 6 muaj kundrejt 80 vjetëve e 2 muaj për femrat./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: