Monsinjor George Frendo, Sekretar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, administrator dioqezian i Dioqezës Tiranë-Durrës i ftuar në studion e lajmeve në News 24, foli për tragjedinë e Kombinatit, ndërsa hodhi dritë mbi dallimin që kanë fetë nga sektet.

Frendo tha se ngjarja e Kombinatit është një ngjarje e rëndë, por nuk duhet keqkuptuar feja në këtë rast. Ai tha se sekti fetar që besonin viktimat është në vetëvete një reagim apo një bashkësi që lind për të kundërshtuar fenë, besimin tradicional.

Ai tha ndër të tjera se besimi fetar nuk e nxit asnjëherë vetëvrasjen.

“Jam detyruar të flas për këtë ngjarje që të mos ketë asnjë keqkuptim se besimi fetar nuk e nxit asnjëherë vetëvrasjen. Për ne vetëvrasja është gjithmonë një gjë e keqe, diçka shokuese dhe e jashtëzakonshme që një prej viktimave kishte qënë e vdekur në banesë prej 15 muajsh. Kjo tregon edhe fanatizmin e tyre. Unë jam kundër përdorimit të fjalës vetëflijim në këtë rast. Kjo nuk është vetëflijim, por vetëvrasje. Vetëflijim për kë? Zotin? Ai ma ka dhuruar jetën për ta jetuar.

Ne besojmë që menjëherë pas vdekjes fillon një jetë e re. Ne besojmë edhe në ditën e fundit të botës, por është mirë të dallojmë Kishën nga sektet. Sektet kanë lindur si reagim kundër besimit origjinal qoftë katolik apo ortodoks. Ato tregojnë shpeshherë edhe urrejtje ndaj besimit origjinal. Shumë sekte kanë lindur në shek. e 19, në 1870 kanë lindur Dëshmitarët e Jehovait. Ky sekt ka lindur nga një njeri që e shpallte shumë afër fundin e botës. Kanë këtë bindjen që ngjallja do të bëhet së shpejti. Edhe këta (rasti i Kombinatit) kanë agjëruar se menjëherë do të ringjallen. Por sidoqoftë në Bibël ne lexojmë se jeta është dhuratë e Zotit dhe duhet gjithmonë të ruhet. Vetëvrasja është e dënueshme”,- tha Monsinjor George Frendo.

Por a shkojnë në ferr ata që vetëvriten? Monsinjor George Frendo shprehet se feja nuk mund të gjykojë askënd, ndërsa sqaroi se: Personi që shkon drejt vetëvrasjes mund të jetë një person që s’ka kontroll mbi jetën e vetë asnjë njeri nuk e dënojmë dot. Kisha nuk ka thënë që ai person shkon në ferr…”.

I pyetur nëse ka pasazhe në Bibël që mund të keqkuptohen, imzot Frendo tha se pikërisht një gjë të tillë bëjnë sektet, i nxjerrin shprehjet jashtë kontekstit.
“Kam lexuar edhe tekstet e gjetura atje, por duhet të dallojmë shkrimin e sekteve dhe ato të Biblës, shkrimi i shenjtë. Sektet e marrin një tekst jashtë kontekstit, injorojnë shumë të tjera. Kur Jezusi thotë: Ai që beson në mua do këtë jetë të pasosur dhe unë do ta ngjall. Pra, marrin vetëm këtë pasazh, ky është gabimi i këtyre sekteve marrin një tekst jashtë kontekstit dhe e interpretojnë sipas bindjeve të tyre”,- sqaroi ai.

Por a po bëhet propagandë nga sektet duke përdorur besimin? Monsinjor George Frendo e pranon se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Shqipëri, por kjo për shkak të injorancës fetare.

“Ekzistojnë po. Të mos harrojmë që këtu për gati gjysmë shekulli ishin të ndaluara besimet. Këtu disa kanë përfituar nga injoranca fetare dhe kanë ardhur këtu në Shqipëri, trokasin derë më derë dhe duan të imponojnë besimin e tyre. Pra dhe kur gjejnë njerëz të dobët i bindin për besimet e tyre, jo të saktë dhe jo të vërtetë”.

Ai shtoi se këtyre njerëzve iu ndodh pikërisht ajo që në gjuhën e përditshme e etiketojmë si “lavazh truri”.

“Po, ata kanë një mënyrë që tërheqin vëmendjen e personave vulnerabël. Fillimisht nuk e tregojnë doktrinën e tyre të çuditshme por të vënë në dyshim doktrinën tënde, ti që je katolik, mysliman apo ortodoks. Pastaj të tregojnë atë që sipas tyre thonë se është e vërteta. Ata përmendin Biblën dhe Jezu Krishtin por e interpretojnë sipas mënyrës së tyre. Ne besojmë tek Jezu Krishti, i biri i Zotit që është njeri, ata nuk e besojnë këtë gjë. Sipas Kushtetutës ata kanë të drejtë të vijnë në Shqipëri por nuk janë besime të pranuara zyrtarisht nga shteti shqiptar. Dëshiroj të përfitoj nga rasti dhe të them se duhet edhe ndihma e gazetarëve, ju keni një rol shumë të rëndësishëm me shoqërinë, dëshiroj që të gjithë të kuptojnë që roli nuk është vetëm informimi, por duhet edhe të edukojmë ndergjegjet e njerëzve. Këto sekte që kërkojnë vazhdimisht anëtarë të rinj, mund të cenoje edhe marrëdhënie shumë të mira që kanë ekzistuar këtu mes besimeve fetare.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb