Në emisionin me “Zemër të Hapur” në News24 me autoren Evis Ahmeti është trajtuar historia e një nëne të 8 fëmijëve të mitur. Në një rrëfim në studio ajo ka rrëfyer jetën e vështirë dhe se aktualisht jeton pa një ndihmë sociale.
Ajo tregoi se jetonte me nënën dhe njerkun e saj dhe se pas largimit nga shtëpia në moshën 12-vjeçare është martuar me mblesëri. 29-vjeçarja rrëfeu se po kalon shumë vështirësi dhe se është detyruar të punojë me bashkëshortin gjithë ditën duke mbledhur kanaçe dhe se fëmijët janë detyruar të qëndrojnë vetëm me orë të zgjatura.
“Unë jetoja me nënën dhe njerkun në shtëpi. Pasi jam larguar nga shtëpia kam shkuar të jetoj me motrën time ku më pas u njoha edhe me një person me mblesëri. Nuk jam shkolluar pasi nuk kisha kushtet ekonomike. Unë jam martuar në një moshë të re 12-vjeçare dhe jam bërë nënë e djalit 4 vite më vonë. Unë aktualisht me bashkëshortin punojmë gjithë ditën duke mbledhur kanaçe dhe fëmijët rrinë bashkë vetëm në shtëpi. Ne marrim rreth 30 ose 40 mijë lekë fitim nga shitja e tyre”, tha ajo.
Më tej ajo shtoi se një ngjarje e vështirë i ka ndodhur djalit të saj, i cili është përplasur nga një automjet, por ajo theksoi se e kishte falur drejtuesin e mjetit. Gjatë fjalës në studio ajo tregoi edhe një incident që kishte kaluar në Bashkinë e Tiranës ku ishte kërcënuar të largohej pasi do të vinin edhe forcat e policisë. Sipas saj, ndihma sociale që ajo përfitonte është ndërprerë, pasi bashkëshorti nuk ka siguracione dhe se nevojiten disa raporte.
“Pak kohë më parë djali u aksidentua duke u përplasur me makinë. Ne e kemi përballuar me shumë vështirësi ngjarjen që ndodhi, por unë arrita ta falja drejtuesin e automjetit. Në lagjen time nuk ka ujë të pijshëm dhe unë detyrohem që të pi ujë nga pusi. Unë shkova tek Bashkia e Tiranës për të pyetur për problemin që kishim dhe na kërcënuan se do të thërrisnin policinë dhe u largova pasi ata më prekën në dorë. Gjithashtu më është ndërprerë edhe ndihma sociale, pasi bashkëshorti nuk ka siguracione dhe nevojiten disa raporte në platformën elektronike e-albania”, përfundoi 29-vjeçarja.
(BalkanWeb)