Besnik Çekrezi jeton në Cerunjë, një fshat në hyrje të gramshit ngjitur me liqenin. Ai përpiqet me një serë të vogël, ullinj dhe pak bujqësi, por nuk ka marrë asnjë subvencion nga qeveria se sipas tij, kriteret e shpallura e kanë përjashtuar. Në takimin me Drejtuesin Politik të PD për Elbasanin, Gazment Bardhi, ai tha se duhet ndryshim.

“Unë s’kam marrë asnjëherë asgjë nga shteti. Më thanë një herë për plasmasin, pastaj më thanë për lartësinë, që duhet të jetë 2 e 40, unë e kam 2 e 20, se aq është bandieri”, u shpreh Besniku.

Këtyre vështirësive u shtohet edhe mungesa e vaditjes, apo e rrugës. Ka provuar të investojë një herë dhe gjithë prodhimi iu tha për shkak se nuk ka ujë.
“Një nga arsyet që varfëria ka shkuar në këtë nivel është se qeveria e hoqi tërësisht vemendjen nga fshati. Secili këtu mund të jetojë me tokën e me punën e tij, nëse merr mbështetje për aq sa ka, për aq sa prodhon”, u shpreh Bardhi.

Familja e Besnikut ka 5 anëtarë. Ai thotë se jeton maksimumi me 7 mijë lekë të vjetra në ditë, ku 3 mijë ua jep fëmijëve që ka në shkollë. Për rrugën dhe ndonjë gjë që do hanë. Dhe i ngelet të ushqehen me 4 mijë lekë të vjetra në ditë.

Islam Menko jeton me gruan e tij Afërdita, pasi dy djemtë i ka në emigracion.
Të dy pensionistë kanë kaluar covidin që u ka kushtuar 3 milionë lekë. Shpenzime që i kanë mbuluar fëmijët nga emigracioni, pasi ata do ta kishin të pamundur.
Gjatë takimit në shtëpinë e tyre me Gazment Bardhin ata u shprehën se nuk e njohën dot shëndetësinë falas, premtimin e madh të qeverisë Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb