Kandidatja për deputete e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit, Dhurata Çupi ka zhvilluar sot një takim me banorë të njësisë administrative Gurrë, në qarkun e Dibrës.

Banorët e kësaj zone i pohuan demokrates se ndihen të braktisur për gjithë këto vite nga qeveria.

Në fshatrat Gurrë e Madhe, Mishtër, Dom, dhe Shulbater zonja Çupi u takua me shumë burra e gra, ndërkohë që disa prej tyre jetojnë në çadër pasi tërmeti iu ka dëmtuar shtëpitë. Një prej tyre, i tha Dhurata Çupit se jeton në çadër prej nëntorit 2019, me fëmijë të vegjël dhe pa asnjë ndihmë, pasi askush nga përfaqësuesit e shtetit nuk jep një zgjidhje.

“Në 8 vjet ju keni përjetuar në çdo aspekt dështimin e kësaj qeverie, e cila vetëm ju ka rënduar, pa ju ndihmuar fare. Për shkak të kësaj qeverie, Dibra është sot një nga zonat me largimin më masiv të njerëzve dhe ne këtë duhet ta stopojmë. Qarku i Dibrës është një nga zonat ku qeveria e PD do të investojë me prioritet për të ndalur shpopullimin dhe për të siguruar një jetë normale për banorët”, -tha zonja Çupi, duke shprehur besim se shumica e banorëve të Dibrës do të votojnë PD dhe ndryshimin në 25 prill.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb