Në emisionin me “Zemër të Hapur” me autoren Evis Ahmetin në News24 është trajtuar historia e trishtë e një çifti të moshuarish Pashk dhe Liza Lala që jetojnë në një garazh, në fshatin Shullaz të Kurbinit.
Çifti Lala janë prindër të tre fëmijëve dhe sot aktualisht kanë në jetë vetëm dy vajza pasi djali i tyre ndërroi jetë shumë i ri, vetëm 3 vite më parë. Burrë e grua jetojnë në kushte ekstreme të vështira ekonomike, por edhe sociale pasi vendi ku janë strehuar është një garazh.
Ata kanë kërkuar ndihmën e emisionit për t’i bërë një apel shqiptarëve për t’i ndihmuar dhe për të rrëfyer jetën e vështirë dhe të varfër, në skamje që të dy ata burrë dhe grua bëjnë.
Në një rrëfim të tyre drejtpërsëdrejti në studio Pashku tregoi se së bashku me bashkëshorten jetojnë në një garazhd që prej vitit 2020.
Ai shtoi se kanë pasur një jetë të vështirë dhe se në të kaluarën kanë qenë të internuar prej 45 vitesh.
Gjatë rrëfimit ai rrëfeu se djali i tyre kishte humbur jetën para tre vitesh dhe dhimbjen që kishin përjetuar.
“Që në vitin 2020, pas tërmetit ne jetojmë në një garazh. Si unë dhe bashkëshortja ime kemi qenë të internuar për gati 45 vite dhe kemi pasur një jetë të vështirë. Djali ka ndërruar jetë para 3 vitesh në moshën 54-vjeçare, kjo gjë na ka lënduar shumë”, tha ai.
Pashku gjithashtu tha se bashkëshortja ka shumë probleme shëndetësore dhe i duhet që ai të kujdeset për të edhe pse është e pamundur.
Çifti Lala i kanë bërë një apel shqiptarëve, për për t’i ndihmuar me shpenzimet e rindërtimit të shtëpisë së tyre e cila është e rrënuar pas tërmetit.
“Unë kujdesem për gruan sepse ajo ka disa probleme shëndetësore. Ne kemi nevojë për para që të rindërtojmë shtëpinë tonë e cila është rrënuar pas tërmetit të 26 nëntorit”, përfundoi i moshuari.
(BalkanWeb)