Nga: JORGJI KOTE*
Mungesa e shumicës dërrmuese të liderëve kryesorë të komunitetit ndërkombëtare zbehu ndjeshëm shkëlqimin e paradës ushtarake javën e kaluar në Moskë. Mosprania e tyre ishte një “Jo” e qartë diplomatike ndaj disa tendencave dhe veprimeve të politikës ruse në përpjekje për të përdorur “të drejtën e forcës” në vend të “forcës të së drejtës” në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me fqinjët.
Por, të nesërmen e asaj dite, Kancelarja gjermane Merkel dhe një ditë më vonë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry “zbarkuan” në Moskë; aty ata i thanë me plot gojën “Po” kontributit epokal dhe kujtimit të 27 milionë të rënëve të Ushtrisë së Kuqe dhe popujve të ish-BS në fitoren e madhe mbi nazifashizmin; pavarësisht nga fërkimet dhe problemet ekzistuese, në takimin me Presidentin Putin, ata i thanë “Po” vijimit të bashkëpunimit me Rusinë, si një aktor dhe faktor madhor ndërkombëtar, anëtar i Këshillit të Sigurimit etj., për përballimin e sfidave madhore të përbashkëta.
E përmendëm këtë si rastin më të freskët të artikulimit të “Jo”-së dhe “Po”-së diplomatike, një prej temave më intriguese në teorinë dhe praktikën e marrëdhënieve. Kuptimi i drejtë i këtij momenti pikant në marrëdhëniet ndërkombëtare ndihmon shumë në shmangien e keqkuptimeve, pse jo dhe të komenteve kritike, si të drejta ashtu dhe atyre pa vend nga subjekte të ndryshme, duke përfshirë dhe median, shoqërinë civile etj., lidhur me hapa dhe veprime të caktuara të diplomacisë zyrtare. Teoria dhe përvoja ndërkombëtare dëshmojnë bindshëm se, ndryshe nga aktorët e tjerë, diplomati, me përjashtime shumë të rralla e në kontekste të mirëpërcaktuara, shumë rrallë thotë “Jo”, ca më pak të prerë për një ide apo propozim. Madje, është bërë praktikë e zakonshme që kundërshtimi ndaj ideve apo propozimeve të ndryshme nuk bëhet duke thënë “Jo”, por duke afirmuar pozicionet e tua të ndryshme ose të kundërta. Natyrisht, ka dhe lindin raste kur, nga pikëpamja e përmbajtjes do të thuhet pa dyshim dhe “Jo”. Por ajo do të jetë ndryshe nga të tjerat, pra një “Jo” diplomatike, kurrsesi e hapur, por e veshur me “gëzof”, që të mos bëhet e pakëndshme e ca më pak ofenduese për partnerin e sidomos vendin apo organizatën që ai përfaqëson. Pasojat negative të “Jo”-së së prerë i ka përshkruar mjaft bukur Henry Kissinger, duke iu referuar kapaciteteve të diplomatit dhe negociatorit amerikan me famë botërore, të ndjerit Richard Holbrook; Kisinger thotë se “me Richard-in duhej të ishe tejet i kujdesshëm, që kur të kërkonte një gjë, të mos i thoshe “Jo”! “Sepse, – shton ai, – natyrisht ti më vonë do të detyroheshe t’i thoshe ‘Po’, veçse deri atëherë do të duhej të bëje një rrugë tejet të gjatë e të mundimshme”.
Ndërkohë, aftësia e një diplomati dhe e diplomacisë në përgjithësi është që të gjejë mënyrën, kohën, vendin, formën dhe formulimin e duhur, fin dhe elegant për të shprehur këtë “Jo”. Ajo nuk vjen e menjëhershme, por me ngadalë, me procedura dhe, mbi të gjitha, pas analizave tërësore të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, si dhe të interesave shumëplanëshe, për sot dhe për nesër. Kjo është e rëndësishme, sepse diplomacia e një vendi është kanali dhe mjeti i fundit institucional dhe kushtetues për zgjidhjen paqësore të problemeve dhe vazhdimësinë e mëtejshme të marrëdhënieve, sidomos ndërmjet partnerësh të ngushtë. Talleyrand, një ndër shtetarët më të mëdhenj francezë dhe kryediplomat legjendë, dikur është shprehur se: “Jo” dhe “Po” janë dy fjalët më të shkurtra dhe më të lehta për t’u shqiptuar; por, ato janë dhe fjalët që kërkojnë më shumë kohë dhe kujdes për t’u menduar”.
Gjatë këtij procesi, diplomacia e një vendi merr në konsideratë gjendjen dhe nevojat e vendit përkatës, ndikimin e pritshëm të kësaj “Jo”-je mbi marrëdhëniet politike, ekonomike dhe institucionale me vendin përkatës, interesat dhe nevojat e tjera në të ardhmen e afërt, sidomos lidhur me mbështetjen e kandidaturave të rëndësishme në organizmat ndërkombëtarë, integrimin europian, marrëveshje e traktate që pritet të nënshkruhen, kontrata të ardhshme të mëdha ekonomike dhe tregtare etj. Gjithashtu, në këto analiza përfshihen dhe hapat e veprimet e mëparshme të vendit përkatës, “Jo”-të dhe “Po”-të e tij në të kaluarën, gjendja e tij e brendshme, sidomos në periudha parazgjedhore etj.
Marrëveshja e Detit e vitit 2009, e anuluar nga Gjykata Kushtetuese, është një prej ilustrimeve më të spikatura të rëndësisë vitale të shqyrtimit dhe artikulimit të “Jo”-së diplomatike. Me gjithë justifikimet e dhëna, nuk ka dyshim se po të ishte ndjekur qoftë dhe pjesërisht procesi i lartpërmendur, me siguri që do të ishte gjetur mënyra për t’i thënë “Jo” diplomatike asaj marrëveshjeje, pasojat e së cilës do të ndihen gjatë.
Po aq të rëndësishme janë vendi, koha, momenti dhe mënyra e artikulimit të kësaj “Jo”-je, dhe nëse ajo do të bëhet në mënyrë private apo konfidenciale. “Jo”-ja publike është më pak e dëshiruara në marrëdhëniet ndërmjet partnerësh ndërkombëtarë. Këtu nuk e kemi fjalën që t’i fshihen publikut problemet, përkundrazi! Por, nisur nga kërkesat e partneritetit dhe interesat dy-e shumëpalëshe, vendime të tilla fillimisht bëhen në rrugë e kanale diplomatike, pa zhurmë e bujë. Përvoja tregon se ka rëndësi që kjo “Jo” të shoqërohet edhe me ndjenjë solidariteti, madje me keqardhje dhe me ndonjë “Po” në fusha të tjera si kompensim. Kjo është e nevojshme, sepse jeta vazhdon dhe do të ketë raste kur vetë ata që thonë “Jo” mund të vihen në të njëjtën pozitë, sidomos në organizmat ndërkombëtare. Edhe momenti kur do të themi “Jo” ka rëndësi, sepse nuk është mirë të thuash “Jo” kur ka probleme të tjera për të zgjidhur. Do thënë se diplomacia i ka, i gjen ose dhe i “sajon” mënyrat dhe format për ta shtyrë, madje dhe shmangur artikulimin e një “Jo”-je me procedura, si “konsultime të mëtejshme”, “nevoja për më shumë kohë”, axhenda e ngjeshur” etj. Gjithsesi, kur vjen fjala për të thënë “Jo” për një gjë madhore, diplomacia nuk duhet të jetë e lëkundur, por ta thotë atë me plot gojën. Në këtë drejtim, edhe në praktikën e vendit tonë këto 25 vitet e fundit, krahas shembujve pozitivë të njohur, nuk kanë munguar raste të pakëndshme dhe të pakëshillueshme. Një “jo” e matur “me pambuk” ishte ajo e ish-Komisionerit të BE-së për Zgjerimin gjatë vitit 2013; pretendimit se “nacionalizmi shqiptar është krijues!” ai i përgjigjet me një “Jo” në formën e një pyetjeje retorike: “Po, por a përputhet ky nacionalizëm me vlerat e Euroatlantizmit?” Në këtë pikë, natyrshëm lind pyetja se cilat mund të jenë efektet dhe pasojat e mundshme negative të një “Jo”-je, qoftë me “gëzof”, e aq më tepër të një “Jo”-je jashtë standardeve të sipërtreguara. Në fakt, çdo “Jo” ka një kosto të konsiderueshme. Por, është naive të mendohet ose pritet që një vend, sidomos partner, të shprehë hapur e me terma të matshëm zhgënjimin ose zemërimin e vet, kur dikush i ka thënë “Jo” një propozimi të tij, sidomos kur justifikimi nuk ka qenë i plotë ose bindës. Po aq e rëndësishme është që të kuptohet dhe reagohet pozitivisht edhe ndaj një “Jo”-je të mundshme ose të nënkuptuar të partnerëve të ndryshëm. Kjo “Jo” u përcillet fillimisht niveleve të caktuara të hierarkisë në përfaqësitë tona diplomatike jashtë dhe brenda vendit. Kësisoj, krijohet koha dhe hapësira e nevojshme për reflektim dhe marrjen e masave përkatëse. Ndonëse relativisht më i lehtë, edhe artikulimi i “Po”-së diplomatike kërkon kujdes dhe analiza të ngjashme. Veçse këtu problemi është si të optimalizohen vlerat e saj, me qëllim që në këmbim, të sigurohet një “Po” e tillë edhe nga vendi tjetër; ose, të paktën të hiqen nga “defteri” efektet negative të një “Jo”-je të mëparshme. Edhe “Po”-ja diplomatike nuk thuhet menjëherë dhe copë, sepse kështu, krahas të tjerash, do t’i ulej vlera. Veç kësaj, në analizën përkatëse evidentohet gjithë historiku i “Po”-ve të mëparshme. Edhe përgatitja e kësaj “Po”-je kalon nëpër strukturat përkatëse të hierarkisë diplomatike, e cila bën analizat dhe rekomandimet e rastit. Për të qenë më konkretë, po e mbyllim këtë shkrim me reagimin e autoriteteve tona përkatëse ndaj praktikisht “Jo”-së diplomatike të paradokohshme të drejtuesve të rinj të Komisionit Evropian mbi ngrirjen e zgjerimit të BE-së gjatë 5 viteve të ardhshme për shkaqet e tyre të brendshme. Pse të mos e themi që politika dhe diplomacia jonë nuk e shfrytëzuan këtë qëndrim evropian për të mbajtur qëndrime pritjeje ose pasive, pse jo, për të bërë qoftë dhe një “pauzë integruese”; përkundrazi, krerët e qeverisë dhe diplomacisë shqiptare, falë demarsheve të shumta në të gjitha korsitë diplomatike dhe kancelaritë euroatlantike, ia kanë dalë mbanë me sukses, duke ndikuar në ndryshimin për mirë të qëndrimeve evropiane në favor të përshpejtimit të këtij procesi. “Po”-ja shqiptare merr rëndësi të veçantë sidomos në kushtet e reja gjeopolitike të krijuara e që kanë ndikim edhe në rajonin tonë. Vetëkuptohet se intensifikimi i përpjekjeve për realizimin e kërkesave të njohura në këtë fushë jetike do ta bëjë këtë “Po” evropiane shqiptare më efektive dhe të besueshme.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: