Deputetja e PD Merita Bakiu ka folur në seancën e sotme plenare, duke kritikuar qëndrimin e ministres së Arsimit Evis Kushi në seancën e shkuar si jo etik.

Ajo ka përmendur edhe mbylljen e kolegjit turk Mehmet Akif nga qeveria, por është ndërprerë nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

“Unë mendoj që parlamenti duhet të jetë modeli më i mirë i shoqërisë, pasqyra e lartë e mendimit, e sjelljes dhe modeli i veprimit politik në dobi të shoqërisë. Në këtë legjislaturë është e para herë që pas 30 vitesh kemi një përqindje kaq të madhe të grave dhe mendoj që ne duhet të japim një model politike, ku etika dhe politika të jenë bashkudhëtare. E quaj jo etike sjelljen e ministres Kushi dhe mbi të gjitha sjelljen e ministres së Arsimit për mënyrën se si ka replikuar në seancën e fundit. Në përgjigje të zonjës Kushi dhe më shumë në vëmendje të interesit publik dhe në përmbushje të detyrimit tim si përfaqësuese e zgjedhur e popullit, si anëtare e komisionit, në respekt të ligjit dhe të vërtetës i kujtoj zonjës ministre se mbështetur në korrespodencën e zhvilluar nga vetë institucioni i saj Kolegji ‘Mehmet Akif’ është larguar në fillim të vitit dhe se nuk ka njoftuar ministrinë e Arsimit për ndryshimin. Me shkresën 4030/2 të datës 29.7.2022 është të njoftuar për vendndodhjen e tij”, tha ajo, por nuk arriti që ta mbaronte fjalën e saj, pasi u ndërpre nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

“Kjo nuk është procedurë, jam e detyruar të tërheq fjalën”, tha Nikolla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb