Nga: KIÇO BLUSHI*
Seanca e fundit e Kuvendit hodhi poshtë përsiatjen time të fundit për dukurinë e konfl iktualitetit të vazhdueshëm e të pandërprerë….. në politikë, nëpër parti e veçanërisht në Kuvend, si pasojë e së cilës, sipas meje, kemi mbetur kaq prapa e jemi këtu ku jemi, në zgrip të tranzicionit.
Në të vërtetë, përcaktimi më i saktë do të kishte pas qenë: ky nuk është konfliktualitet, por vulgaritet i shkallës më të lartë, i paparë në mjediset tona publike. Në Kuvendin e parë pluralist kur kacafyteshin Noli me Zogun dhe shpurrat e tyre përkatëse, paria nuk mburrej me fjalëndyrësinë dhe banalitetin, siç ndodh sot. Aq larg është shkuar në këtë “drejtim të duhur”, sa është krijuar bindja gjithëpërfshirëse se sot, po nuk qe vulgar, po nuk shave me nënë e me babë, po nuk qe i aftë të hedhësh batuta cinike,  therëse, asgjësonjëse kundër armikut, dmth., kundër kundërshtarit të partisë  e sidomos kryetarit, nuk je i aftë e rrjedhimisht as i vlefshëm. Të gjithë kryetarët e partive, si kur janë në opozitë e ca më tepër në qeverisje, qesëndisjen, talljen, shpotitjen, përçmimin, ofendimin, poshtërimin e vartësve e më pas edhe të kundërshtarëve i kanë mjete lufte, me të cilat bindin më së pari veten e më pas edhe botën se janë bërë jo vetëm fuqiplotë, të pakundërshtueshëm, hokatarë të papërballueshëm, por edhe tejet të mençur.   
Kësisoj, jo vetëm fjalori është i rrëmbushur me shpif-sharje të ndërsjella, me “trapllëqe”, me akuza për drogaxhinj, kriminelë, psikopatë, hajdutë, mashtrues, gënjeshtarë, vrasës, perversë, trafikantë, etj., etj., por më së tepri mjerimi, intelektual duket te niveli i degraduar i fjalërimit, ku është e pamundur të pikasësh ndonjë alternativë, rrallëherë mund të dëgjosh diskutime e debate të frytshme, minimalisht të arsyeshme mes pozitës dhe opozitës.
Tanimë nuk ka vlerë të ndiqet për t’u englendisur darkave i ashtuquajturi “përrua psikik”, në mungesë të estradave të dikurshme, apo telenovelave turke. Aq rutinë dhe skematizëm ka nëpër “debatet” parlamentare sa nuk është e vështirë, që edhe me sy mbyllur të kuptosh kush flet, në emër të kujt flet, dmth., cili nga dy regjisorët: Rama apo Berisha i ka kurdisur dhe diktuar ligjërimet e “përfaqësuesve” tanë të lartë. Me pak vëmendje e kupton se të gjithë vartësit e të emëruarit e tyre, pra jo të zgjedhurit tanë, nuk mendojnë me kokën e vet, nuk flasin me gojën e vet, nuk kanë hallin se si do t’i gjykojmë ne, nëse në zgjedhjet e ardhshme do t’i votojmë sërish ata, sepse ata i përzgjedh kryetari, ndaj e ndjekin dhe e imitojnë, edhe me mimikë e gjestikulacione, skeçin orientues të kreut përkatës. Fjala yxhym për ta duket pa kuptim. Kuvendi nuk ka qenë kurrë kaq vulgar në thelb.
Po të ndjekësh një seancë të vetme parlamentare, pyetjet që të lindin pa dashje, sado mospërfillës dhe asnjanës të jesh ndaj politikës, besoj se janë këto: a nuk iu vjen zor, a ndjehen keq, a i vret sadopak ndërgjegja kryetarët e partive, të cilët kanë hartuar listat e deputetëve me të tilla nivele intelektuale mjerane që me demek përfaqësojnë popullin dhe partitë, kryetarët dhe anëtarësinë, e që së toku formojnë imazhin e mangët të elitave tona?
Si nuk e kuptojnë kokat e mençura të kombit, udhëheqësit tanë të lavdishëm partiakë se, duke i përzgjedhur nga anonimati dhe më pas duke i hedhur këta njerëz të vobektë, pa identitet, pa kulturë të mjaftueshme, shpesh edhe pa zanat, në detin e vështirë  të pushtetit dhe të debatit publik se kësisoj do të humbasin edhe vetë pikë, pasi deri më sot asnjë pushtet absolut dhe asnjë NJËSH nuk mundur të zhvleftësojë shprehjen e popullit: “Më thuaj me kë rri, të të them se cili je?”. Në partitë elektorale të Perëndimit ky parim ka rëndësi parësore, jo vetëm mediatike. Kurse tek ne partitë nuk janë elektorale, janë prona private të kryetarëve të partive.
Është kështu, prandaj duket e vështirë të lexohen, të kuptohen, të shoshiten e të zbulohen paraprakisht këta gjysmanalfabetë me diploma e mastera të blera jo vetëm nga trysnia e kohëve të fundit për dekriminalizimin, por edhe nga veshja dhe forma e kokës, nga portretet dhe nga CV-të e tyre, sa hapin gojën në publik. Kryetarëve tanë u pëlqejnë vetëm ata vartës sejmenë, lapërdharë e puthadorë, që pranojnë të përdoren si topuzë balte dhe force ndaj kundërshtarit, sepse vetëm kështu ndjehen të sigurt. Derisa zgjedhjet nuk bëhen me mazhoritar të pastër, meqë listat e mbyllura të kandidatëve hartohen vetëm nga kryetarët dhe hë për hë ato dhe jo zgjedhësit, as anëtarësia, janë vendimtarët, nuk është e vështirë të shpjegohet përse niveli i Kuvendit, i jetës dhe i demokracisë së brendshme të partive, pse jo edhe i administratës publike, nga viti në vit, nga zgjedhjet në zgjedhje ka ardhur duke u përkequr e mosmëkequr, aq sa të vjen turp, edhe kur i dëgjon këta “përfaqësues” si spektator.
Sepse me sa duket, ne kemi kaluar tanimë në një tjetër fazë të tranzicionit, më regresive: konfliktualiteti i fillimeve të pluralizmit mes antikomunistëve dhe ish- komunistëve tanimë është transformuar në vulgaritet, mediokritet, banalitet, në ndarje trofesh, postesh, pronash, rrjedhimisht në një shpifësirë mediatike që po e zhvleftëson dita-ditës edhe pluralizmin, edhe lirinë e fjalës. Nuk dihet nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por e sigurt është që kjo dukuri po e bën opinionin publik gjithnjë e më indiferent.
***
Më sipër thashë: “Nuk dihet nëse është bërë me qëllim apo jo”. Edhe në këtë rast gabova. Por duket se për këtë gabim ndikon kujtesa jonë e dobët, e shkurtër.  
Jo vetëm në monizëm, por edhe para monizmit, të gjithë krerët tanë, pa përjashtim, janë rrethuar jo rastësisht, por qëllimisht, si të gjithë bejlurçinat, me sejmenë e Mon Kukaleshë, që nuk shquheshin për retorikë, as për politikë, as për kulturë dhe zgjuarsi, por për dallavere e prapaskena. Kur prijësi është i gjatë, këta domosdo duhet të jenë të shkurtër e të shëmtuar, kur prijësi mbahet për i mençur, ata duhet të pranojnë me qejf rolin e palaços dhe të mediokrit, duke u entuziazmuar, me rast e pa rast, me aftësinë gjeniale dhe mprehtësinë e  paparë të udhëheqësit… Hoxha pikërisht për këtë qëllim diabolik, që të mos i bënte kush hije, që të ngjante edhe më i pavdekshëm e i pazëvendësueshëm, ngriti brenda një nate nga klasa punëtore dhe fshatarësia në nivelet më të larta të shtetit gjysmë analfabetë.  
Këtë lloj revolucionarizmi, apo reforme, si thuhet sot, ai nuk e justifikoi me barazinë gjinore, as me luftën e brezave, as për të ngritur të rinjtë e për të nxjerrë jashtë loje “xhaketat e vjetra”, por për të njëjtin qëllim: për të siguruar, edhe pas vdekjes biologjike apo politike, “trashëgiminë” e paprekshme.
Fakti që Hoxha dështoi, e jo vetëm ai, po edhe pararendësit e tij, me sa duket nuk vlen si mësim i nxjerrë nga pësimi historik për krerët e sotëm. Ja pra përse tek ne konfliktualiteti ndër-e–brenda-partiak sa vjen dhe po degradon në vulgaritet e banalitet.    

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: