Që nga viti 2014 e deri në ditët e sotme janë krijuar dhjetra kriptomonedha në botën e industrisë së kanabisit me qëllim ofrimin e një alternative për transaksionet bankare tradicionale të cilat shpesh nuk lejohen në këtë sektor.

Janarin e shkuar, Kalifornia u bë vendi i tetë në Amerikë që legalizonte kanabisin për përdorim vetjak. Si fillim Alaska e më pas shumë shtete të tjera si Kolorado, Massachusetts, Nevada, Washington etj. kanë bërë të njëjtën gjë kur ndërkohë në shtete si Arizona kanabisi përdoret vetëm për kurim.

Në Amerikë përdorimi i mariuanës është tashmë një realitet mjaft i fuqishëm me një industri që në 2017 punësoi më shumë se 121 mijë punonjës dhe xhiro vjetore prej 9 miliard dollarësh e cila vit pas viti rritet akoma më shumë.

Kjo industri krijon mundësi për lindjen e startupeve të reja, ndikon në çështjet gjinore, përdoret si instrument për nxitjen e punësimit të femrave e shumë oportunitete të tjera.

Megjithatë, edhe pse është e legalizuar në këto shtete, përsëri krijon probleme për individët që merren me këtë biznes, pasi atyre nuk i lejohet të përdorin sistemet bankare. Mariuana mbetet ilegale sipas ligjeve amerikane dhe në këtë mënyrë bankat nuk mund të mos respektojnë këto rregulla.

Kështu e vetmja mundësi për të blerë barna, fara dhe produkte të tjera është nëpërmjet parave të thata. Si alternativë, janë kriptomonedhat. Për të përballuar pengesat financiare, prej disa vitesh po krijohen monedha virtuale të dedikuara ekskluzivisht botës së kanabisit.

Receta është e thjeshtë: krijimi i një rrjeti transaksionesh digjitale që mund të zëvendësojnë ato bankare, duke çliruar kështu tregtarët e industrisë dhe konsumatorët nga pesha e një biznesi që mund të ecë përpara vetëm nëpërmjet përdorimit të parasë së thatë, njofton PCWorld Albanian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: