Janë për t’u përshëndetur dy vendime të javëve të fundit të Qeverisë sonë, me ndikim tejet pozitiv për funksionimin më cilësor dhe optimal të Përfaqësisë sonë diplomatike në Bruksel, e cila deri tani ka mbuluar BE-në dhe Belgjikë/Luksemburg: blerjen e një godine të re për Përfaqësinë tonë pranë BE-së, sepse e tanishmja, e blerë 25 vite më parë nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e shtuara ndjeshëm për një staf shumë më të madh në numër, veç vendndodhjes, e cila është larg imazhit që duhet të japë një përfaqësi e tillë, ca më tepër tani që jemi vend aspirant për në BE.

Vendimi i dytë ka të bëjë me ndarjen e pjesës së Ambasadës dypalëshe nga Misioni pranë BE-së, siç ka qenë deri më sot këto 10 vitet e fundit. Për rrjedhojë, në Bruksel do të kemi tre përfaqësi diplomatike bashkë me atë të NATO-s, diçka e përligjur, nisur nga roli dhe pozita e vendit tonë si anëtar i NATO-s dhe fama e Brukselit dhe si kryeqyteti i BE-së.
Në librin “ Diplomacia për të gjithë ( 2014) dhe në disa shkrime të mëvonshme, duke qenë “ i shtëpisë” në Bruksel e kam shtjelluar me theks të veçantë problemin e imazhit të vendit tonë në Bruksel; ky imazh përcaktohet nga shumë faktorë, duke filluar nga selia e Përfaqësisë sonë diplomatike në Bruksel, e cila ndryshe nga gjithë përfaqësitë e tjera ndodhet disi nբ distance me institucionet qëndrore të BE-së; po ashtu dhe nga ana infrastrukturore është shumë larg standardeve të një selie diplomatike europiane, madje dhe selive të fqinjëve tanë rajonalë.

Ndërkohë, kjo çështje bëhet akoma më e rëndësishme nga pikëpamja e ngarkesës në punë dhe funksionalitetit të godinës; shkurt, tani që po intensifikohen ndjeshëm negociatat me BE-në, me rritje të ndjeshme të grupeve dhe delegacioneve që shkojnë në Bruksel por dhe të shkëmbimeve me Belgjikën dhe Luksemburgun është e pamundur qoftë dhe fizikisht që Shefi i Përfaqësisë sonë në Bruksel “ të mbajë dy kunguj nën një sqetull”!.

Nga përvoja në Bruksel, ku kam shërbyer si diplomat për 10 vjet ( 1997 – 2001 dhe 2011 – 2017) e kam parë dhe provuar dhe vetë se sa mund, kohë, impenjim dhe përpjekje duhen për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave dhe urgjencave të dyfishta.

Kini parasysh se BE-ja përfshin Komisionin, Këshillin, Shërbimin e Jashtëm dhe Parlamentin Europian, veç dhjetra think tankeve, ambasadave dhe institucioneve të tjera, me dinamika tejet të shpejta dhe të ndërlikuara, krahas eventeve dhe samiteve të shumta kudo, të cilat kjo Përfaqësi i mbulon çdo ditë, me kontakte të shumta dhe të shtuara.

Por dhe Belgjika nga ana e vet është Mbretëri Federale me 4 shtete, tre komunitete gjuhësore, me shtatë qeveri dhe parlamente, me shumë kërkesa dhe sfida të gjithfarëllojshme, veç shërbimit konsullor dhe aplikimeve për pasaporta që bëhën aty prej mbi 10 vitesh, pa lënë pas dore dhe Luksemburgun e vogël, por me emër dhe mundësi të mëdha.

Ja pse nisur nga sa sipër, dëgjohet rëndom shprehja “nëse do të dëgjohesh fol në Bruksel”.

Në fakt, në 10 vitet e fundit këtë barrë të jashtëzakonshme pune e ka përballuar mjaft mirë ish Ambasadorja Suela Janina, e cila prej një viti drejton Përfaqësinë tonë në Nju Jork. Natyra, karakteri, energjitë pozitive, operativiteti i pashembullt, dhe dinamizmi i saj të kombinuara me moshën relativisht të re e bënë atë tejet të respektuar nga zyrtarët belgë e luksemburgas, zyrtarët e lartë të BE-së dhe vërtet të adhuruar nga bashkëatdhetarët tanë.

Ndërkaq që ambasadori i tanishëm, Ferit Hoxha, me mbi 30 vite karrierë diplomatike, më i afti dhe më i plotësuari që vendi ynë ka në çdo aspekt, në vitin e tij të parë ka qenë tejet aktiv si me BE-në ashtu dhe me Belgjikën/Luksemburgun.

Mirëpo me ngarkesat e reja të tanishme, vazhdimi i punës në të dy drejtimet është i pamundur ose do të krijojë boshllëqe në marrëdhëniet me Belgjikën/ Luksemburgun, dy shtete që na kanë mbështetur vazhdimisht në të gjitha proceset demokratike, ne dhe Kosovën dhe me shumë mundësi ende të pashfrytëzuara bashkëpunimi. Më konkretisht, ndodh jo rrallë që megjithë ftesat e bashkëatdhetarëve ose dhe të zyrtarëve të lartë belgë/luksemburgas për praninë e Ambasadorit tone në një event me rëndësi dypalëshe, kjo ka qenë e pamundur, mbasi Ambasadorit i duhet të ishte në aeroport, në Strasburg, duke shoqëruar Kryeministrin, Ministrin e Jashtëm, etj ose ndodhej në Tiranë me rastin e vizitave të rëndësishme të emisarëve të lartë europianë, samite, etj.

Mirëpo kjo ndikon jo për mirë, krijon pa dashje përshtypjen e nënvleftësimit të Belgjikës, Luksemburgut dhe diasporës sonë.

Ndaj ndarja e Ambasadës nga Misioni ynë pranë BE-së është shumë e drejtë dhe MPJ-ja do vlerësuar për këtë reagim. Siç kam përmendur dhe në një shkrim të mëparshëm, vetë Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka dëgjuar me vëmendje dhe këtu në Bruksel në disa raste, duke bërë reagime të lavdërueshme ndaj ideve dhe mendimeve të shprehura në takimet e tij dhe me përfaqësues të diasporës.

Vetëm se tani ekziston një merak dhe shqetësim i ligjshëm, që kjo praktikë ndarjeje të jetë përfundimtare dhe të mos përsëritet më bashkimi i dy pjesëve të Përfaqësisë në Bruksel.

Them kështu sepse siç tregohet dhe më poshtë; me Ambasadën tonë në Belgjikë është luajtur si te “ hapa dollapa”. Në 30 vitet e Ambasadës sonë në Belgjikë/Luksemburg, veç ndryshimeve të selisë, ajo është ndarë dhe bashkuar me Misionin tonë pranë BE-së 6 herë! Çka nuk ka ndodhur me asnjë përfaqësi tjetër të huaj në botë, për fat të mirë as me ambasadat tona në Vjenë, Paris dhe Gjenevë, të cilat me shumë të drejtë nuk janë bashkuar asnjëherë me misionet tona pranë OSBE-së, KiE-së dhe të OKB-së.

Dhe kjo ka ndodhur pa asnjë motiv të justifikuar e ca më pak bindës, por thjesht për teka, inate dhe pëlqimit të njerit apo tjetrit, mendimit të gabuar se ç’na duhen tre ambasadorë në Bruksel, etj. Dhe të gjitha këto kusure dhe mundime thjesht dhe vetëm për të hequr qafe apo shtuar një Ambasador, sepse personeli mbetet po ai, vetëm me dy vetë!

Më poshtë po tregoj historikun e vërtetë dhe të pakëndshëm të kësaj “odiseje”.

Ambasada jonë në Bruksel u çel për herë të parë në vitin 1995 me Ambasador Bashkim Trenova, e ndarë dhe si godinë nga Misioni pranë BE/NATO, i çelur qysh në vitin 1992, fill pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me BE-në me Ambasador të parë, të ndjerin Petraq Pojani dhe mbas tij Artur Kuko, i rikthyer dhe më vonë në atë post dhe sot Ambasadori ynë në Hagë.

Vetëm 2 vite më vonë, në shtator 1997, me ardhjen e qeverisë së majtë, praktikisht për të justifikuar heqjen e ambasadorit Trenova, u bë bashkimi i Ambasadës me Misionin tonë pranë BE-së me titullar, të ndjerin Idriz Basha, përfaqësues i njohur i diasporës sonë në Belgjikë. Themi kështu sepse nuk kishte nevojë për një bashkim të tillë, ca më tepër kur integrimi Europian ishte caktuar si përparësia e asaj qeverie.

Vetëm një vit më vonë, sërish për ta hequr “ me lezet” ambasadorin e ndjerë Basha nga BE-ja, sepse nuk e përballonte dot, por për ta lënë atë prapë Ambasador, u bë ndarja e Misionit nga Ambasada, Misioni me Ambasador zotin Ferit Hoxha, ndërsa i ndjeri Basha qëndroi me Ambasadën. Mbasi ai doli në pension dy vite më vonë, u bë sërish bashkimi i të dyja përfaqësive.

Kështu bashkë vijuan deri në vitin 2010, kur me të drejtë, nisur nga intensifikimi i procesit integrues me BE-në, liberalizimi i vizave dhe i marrëdhënieve dypalëshe me Belgjikën dhe Luksemburgun ( dhe dy marrëveshjet e para me vendet e BE-së për pensionet filluan dhe u nënshkruan pikërisht me Belgjikën dhe Luksemburgun gjatë viteve 2010 – n 2014) u bë sërish ndarja e Misionit nga Ambasada.

Në këtë të fundit u caktua Ambasador zoti Ilir Tepelena, ndërsa te Misioni zonja Mimoza Konda, aktualisht ambasadorja jonë në Varshavë.

Menduam se kjo situatë do të vijonte kështu dhe se do të gjindej një seli më e përshtatshme për pjesën e Ambasadës, e cila ishte e mbyllur në një “ kuvli” me 4 mini zyra. Ca më tepër kur në vitin 2013 dhe aplikimet për pasaporta filluan të bëheshin te kjo ambasadë, në një ngushticë të paparë, ku nuk kishte ku “të hidhje as kokrrën e kumbullës” e jo më të mollës. Mirëpo nuk qe e thënë. Mbas ardhjes së qeverisë së re në vitin 2013, u vendos papritur e pakujtuar ribashkimi i Ambasadës me Misionin. Fare e pakuptueshme, kur sapo kishin fituar statusin “ kandidat” në BE, e cila do të kërkonte demarshe dhe përpjekje shumë më të mëdha. Thjesht u hoq ambasadori, ne dy diplomatët e tjerë të Ambasadës vijuam në po atë “kuvli”.

Nuk kam dashur t’u besoj fjalëve se ish ministri i Jashtëm i atëhershëm nuk e kishte për zemër ambasadorin dhe kërkoi ta “hiqte qafe me të mirë”, siç kishte bërë dhe në ndonjë rast tjetër me standarde dyfishe. Kështu u veprua në mënyrë absurde me Ambasadën tonë në Bosnie, të çelur në vitin 2010, kur ende pa bërë 4 vjet, vendosën mbylljen e saj, vetëm e vetëm për të hequr Ambasadorin Flamur Gashi, i cili kishte punuar me zell dhe pasion, duke krijuar një imazh tejet pozitiv për vendin tonë e që i ka përshkruar në një libër shumë interesant. Vendim shumë i drejtë i qeverisë që tani të kemi sërish Ambasadën tonë në Sarajevë.

Gjithsesi, ata që ishin më lart Ministrit e shihnin se zoti Tepelena ishte dhe mbetet Ambasador me meritë, pa bujë dhe zhurmë por me “ bukë”, i cili i ka kaluar të gjitha shkallët e karrierës diplomatike; ndaj me të drejtë nga Brukseli e çuan ambasador në Rumani dhe tani vazhdon në Pragë.

Siç u përmend dhe më sipër, gjatë viteve të punës në Ambasadë jam ndjerë shpesh herë në hall dhe vështirësi, mbasi bashkëatdhetarët dhe autoritetet e larta belge në evente të ndryshme na ftonin dhe me lutjen që të vinte dhe Ambasadorja. Kërkesë fare e natyrshme dhe që u bënte nder organizatorëve dhe të gjithë bashkëatdhetarëve dhe në sytë e autoriteteve belge/luksemburgase. Aq sa në disa raste më thoshnin: mire xhanëm, por përse nuk e ndani Ambasadën veç si më parë dhe të sillni një ambasador dypalësh?

Megjithëse Suela, kjo Zonjë e vërtetë e diplomacisë sonë bëntë çmos t’i nderonte të gjithë me dhe pa orar, kishte raste që për shkak të ngarkesave dhe eventeve të tjera të nivelit më të lartë e kishte të pamundur qoftë dhe fizikisht. Këto aspekte i kam treguar gjerësisht në librin “ Negociatat, sfida e fundit e integrimit”( 2024) në kreun e veçantë kushtuar përfaqësisë sonë në Bruksel, si ura jonë e rëndësishme lidhëse me Brukselin europian si dhe me Belgjikën dhe Luksemburgun.

Ja pse vendimi më i fundit i qeverisë për të patur një Ambasadë dypalëshe më vehte, të ndarë nga Misioni pranë BE-së, tanimë jo thjesht dhe vetëm si godinë është lajm i mirë dhe tregues i interesimit shtetëror dhe qeveritar për bashkëatdhetarët tanë në Belgjikë dhe në Luksemburg, krahas theksimit të vëmendjes me BE-në, lidhur dhe me objektivin madhor për përfundimin e negociatave të anëtarësimit mundësisht brenda vitit 2027.

Dhe së fundi, shprehim dëshirën dhe urimin që të mos ketë më bashkime të kësaj natyre, mbasi ato nuk sjellin dobi, tregojnë mungesë serioziteti diplomatik dhe krijojnë një imazh jo të pëlqyeshëm te gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, sidomos te ata europianë, belgë dhe luksemburgas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb