TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sot për mediat për situatën në PD. Berisha “garantoi” nga oborri i parlamentit “demokratët në të gjitha nivelet, nga anëtari i thjeshtë, tek deputetët e me radhë se PD-ja është e hapur dhe vullnetplotë për të diskutuar, për të debatuar me çdo anëtar të saj, cilido qoftë ai”.

Ai theksoi se nuk ka negociata mes dy palëve dhe se PD është vetëm një, por se ka dialog dhe debat brenda grupit parlamentar, pasi nuk ka më Kryesi.

“Jemi të hapur të bëjmë gjithçka për garantimin e votës së lirë dhe bashkimin rreth votës së lirë. Pra, nuk bëhet fjalë më për një kryesi, mbasi ajo është shkarkuar me vendimi ne kongresit historik të 11 dhjetorit, kjo nuk do të thotë se fjala e dmeokratëve cilido qoftë ai, nuk dëgjohet dhe nuk përfillet.

Fola për 11 dhjetorin, por sanksionimin më të plotë 11 dhjetori e mori më 6 mars. Kështu që në këtë kontekst ajo që dua të theksoj dhe dua tju siguroj se PD-ja ka institucionin e saj tashmë operativ dhe të plotë dhe ky është grupi parlamentar. PD ka institucionin e vet të dalë nga kuvendi i 11 dhjetorit, Komisioni i Rithemelimit. Debati brenda grupit parlamentar mund të zhvillohet për çdo gjë që parlamentarët e konsiderojnë të arsyeshme. Sikundër dua të theksoj dhe ftoj miqtë e mi të mos harrojnë, bashizmi ishte doktrinë e dhunimit të statutit, institucioneve, parimeve të partisë. Ai u arkivua së bashku me dorëheqjen e Lulzim Bashës. Askush nuk mund të mendojë të paraqesë sikur ekzistojnë dy PD, dy formacione politike. Ekziston vetëm një PD dhe vetëm një. Unë po takoj dhe një proces i mrekullueshëm po ndodh në bazë. Po takoj njëri pas tjetrit kryetarët që deri dje, madje dhe radhën e fundit kanë qenë në takimin me Bashën, por që janë haptas të qartë që 6 marsi ka vetëm një mesazh, bashkimin dhe se ia kanë thënë në sy Lulzim Bashës në gojë, në sy se anëtarësia dhe të gjithë janë me 6 marsin. Kështu që nuk duhet të bëjmë asnjë lloj spekulimi me fjalë, me qëndrime. Në grupin parlamentar janë të gjithë anëtarët, përfshi Lulzim Bashën, urdhëro të bëjmë debat”, deklaroi Berisha.

I pyetur për një qëndrim pas kërkesës për tërheqjen e tij, Berisha tha se me blofin nuk mund të luhet.

“Unë nuk e di numrin sepse u kundërshtua. Me blofin nuk mund të luhet dhe me blofin luan sot vetëm një dyshe që kalon nga një studio në studion tjetër, pasi mbush xhepat me gurë në zyrat e propagandës të Edi Ramës, dyshja Baton Stanishiq, Preç Zogaj. Miqtë e mi, mos dëgjoni fjalët e tyre, i mbushin xhepat tek zyrat e Fugës. Dialog, debat, nuk ka negociata. Kryesia nuk ekziston”, tha Berisha.

Sa i përket shtyrjes së Kuvendit të 30 prillit më tej, ai theksoi se procesi mbetet i pacenuar, por gjithçka, kush ka idera, mendime duhet t’i shtrojë dhe të rrafshohen në grupin parlamentar. “Por Sali Berisha dhe askush nuk ka autoritet që të ndryshojë 11 dhjetorin, i cili u konfirmua më 6 mars. Grupi parlamentar është vetëm një nuk kemi dy grupe parlamentar”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb