TIRANË

Analisti Fatos Lubonja foli sot në “Open” në News24 për ccështjen Gërdeci dhe akuzat ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

I pyetur nëse pas deklaratave të Ramës, drejtësia do të godasë majtas apo djathtas, Lubonja tha se këtu nuk është problemi që po vendoset drejtësi, por problemi është që po bëhet padrejtësi. Sipas tij, opozita do jetë në shënjestër.

“Në kuptimin që një drejtësi selektive, që nuk ka qëllim vendosjen e drejtësisë, por trembjen, shantazhimin, eliminimin e kundërshtarëve politikë është shumë më e dëmshme se sa një padrejtësi në një rast të caktuar. Këtu është thelbi, këtu po vijmë ne.
Kemi pasur një drejtësi që ka qenë indiferente, e komprometuar thuaj po të duash, bashkëpunëtore me politikën dhe tani kemi kaluar në një situatë ku njëra nga këto banda e ka kapur krejtësisht drejtësinë dhe po e përdor për qëllimet e veta të pushtetit, për të mbrojtur veten, për të qenë e mbrojtur, e sigurt dhe për të goditur e shantazhuar kundërshtarët. Kjo është situata.
Në këtë aspekt mendoj që radhën e ka, do ta ketë normalisht opozita. Do të jetë nën shënjestër sa kohë që kemi këtë drejtësi, që siç e kemi parë, boll këto skandalet e fundit, me këtë gruan që ka vjedhur në shtëpi, ky tjetri me Erion Veliajn që ka bërë atë tenderin atje në mënyrën më skandaloze dhe që nuk vepron askush, janë të mjaftueshme për të eliminuar çdo lloj iluzioni që mund të krijojë gjasme gjyqi i Gërdecit si një drejtësi që po na bëkan këta që kanë ardhur tani dhe që bënë dhe reformën në drejtësi”, deklaroi Lubonja.

Por a do dënohet Mediu? Avokati Jordan Daci tha se në kushte normale, duke pasur parasysh atë që është hetuar atëherë dhe problemet e rënda të karakterit kushtetues, por edhe ligjor që ngre si çështje, mendoj që shanset janë për një pafajësi, ose një pushim çështjeje të ri, më shumë se sa për dënim të tij.
“Megjithatë drejtësia ka një moment shumë jo të favorshëm ku ne ia kalojmë çdo vendi në botë për numrin më të lartë të fajësive në raport me numrin e pafajësive”, u shpreh Daci.

Lubonja theksoi se këtu funksionon urdhri nga lartë, frika, shantazhi dhe drejtësia që është vënë në shërbim.
“Edhe mua kështu më duket me logjikë. Por shpeshherë këta na kanë çuditur me gjëra që s’na ka shkuar mendja se mund të ndodhnin dhe i kanë bërë në fusha të ndryshme. E kam fjalën për maxhorancën, për Edi Ramën. Domethënë që përdoret si kokë turku Fatmir Mediu dhe të shitet ndërkombëtarisht si një Shqipëri që po ecën përpara dhe po hyn dhe në Europë sepse po vë drejtësi, këta nuk e kanë për gjë t’i përdorin njerëzit në këto forma, t’i sakrifikojnë. 100% nuk jap dot siguri për atë punë. E kuptoj dhe problemin që ka gjithë procesi.
Këtu funksionon urdhri nga lartë, frika, shantazhi dhe drejtësia që është vënë në shërbim, ka bërë dhe vazhdon të bëjë gjëra që deri tani i ka bërë me heshtje, me mosveprim. Ka një lloj stepje për t’u hedhur komplet në aksion, por çdo gjë mund të ndodhë”, tha Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb