Që prej nisjes së pandemisë në vend, në mars të vitit 2020 vdekshmëria ka pësuar një rritje alarmante, që sipas Instat, llogaritet në mbi 10 mijë jetë të humbura mbi mesataren e tre viteve të fundit 2016-2019.

Profesor, doktor, Florian Toti, mjek endokrinolog në QSUT, thotë se jo të gjitha vdekjet lidhen drejtpërdrejt me Covid-19, një bindje që e bazon në një studim të kryer së fundi te të sëmurët kronikë me sëmundje të brendshme. Të dhënat e studimit zbulojnë uljen e theksuar të shërbimeve shëndetësore gjatë vitit pandemik 2020, përfshirë edhe shtrimet në spitale të pacientëve kronikë, çka sipas mjekut ka lidhje indirekte me vdekshmërinë e rritur.

Nisur nga të dhënat që jep mjeku me të drejtë shtrohet pyetja përse ranë shërbimet dhe shtrimet? Ishte mungesa e kapaciteteve, e personelit mjekësor, apo frika e infektimit në ambientet spitalore, kjo e fundit e dokumentuar me infektimin masiv, që preku thuajse të gjitha strukturat terciare në 6 mujorin e parë të vitit 2020.
Dr. Toti thotë se nuk ka asnjë dëshmi të pacientëve që t’u jetë refuzuar shërbimi mjekësor, edhe pse pohon se bluzat e bardha kanë punuar pa mjetet e duhura të mbrojtjes personale kundrejt virusit vrasës.

Vetëm një ditë më parë qeveria nisi vaksinimin e pacientëve kronikë, që trajtohen me dializë, kjo pasi prioriteti i qeverisë që prej nisjes së procesit të vaksinimit ishin mjekët, personalitetet, mësuesit, pedagogët, fashat moshore, 80,70,60, si dhe gazetarët dhe vetëm pas katër muajsh është hapur drita jeshile për të sëmurët kronikë, që zënë mbi 90 % të vdekshmërisë të shkaktuar nga Covid-19.

Në Shqipëri janë disa qindra mijëra të sëmurë kronikë, ku mbi 80 mijë janë diabetikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb