Sabien Lilaj nuk do të jetë futbollisti i vetëm që kalon nga Kategoria Superiore në kampionatin e Azerbajxhanit dhe do të veshë fanellën e Gabala në edicionin e ardhshëm, duke filluar me pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Mesfushori shqiptar ka nënshkruar të shtunën me skuadrën azere, por atje prej disa muajsh gjendet edhe ish-sulmuesi i Kukësit, Rauf Alijev. Sulmuesi i përfaqësueses së Azerbajxhanit iu afrua me shumë bujë verilindorëve dhe pritej të bënte diferencën në vend të Pejiç. Por në pjesën e parë të sezonit, pavarësisht se merrte një pagë shumë të lartë, rreth 9 mijë dollarë në muaj, ai nuk la gjurmë në radhët e kuksianëve. Ndaj në fundin e pjesës së parë të kampionatit, ai i dha lamtumirën Shqipërisë për të mos u kthyer më. Alijev shkoi përsëri në Azerbajxhan, ku këto muaj ka qëndruar pa u aktivizuar, meqë kishte plotësuar numrin e dy skuadrave në sezon që lejon rregullorja e FIFA-s. Megjithatë, ai arriti akordin me Gabala dhe filloi stërvitjen me këtë skuadër që në sezonin e kaluar, pa mundur të aktivizohej. Por tanimë, bashkë me Lilajn ai pritet të ketë një rol kryesor në radhët e këtij klubi, me shpresën se do të jetë më vendimtar se te Kukësi ku u cilësua dështimi më i madh i merkatos.(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb