Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrin sot për vizitë në Kosovë, të dytën pas vizitës së majit 2009, pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë. Të martën në mbrëmje ai mbërrin në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa të mërkurën do zhvillojë takime.

Ambasada e SHBA në njoftimin e dërguar bën të ditur se, nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të udhëtojnë për në Prishtinë, Kosovë. Nënpresidenti do të zhvillojë takime dypalëshe me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa. Gjithashtu, nën patronatin e qeverisë së Kosovës, nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër kampit Bondsteel për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë, Joseph R. “Beau” Biden, III, bën të ditur Ambasada e SHBA në Kosovë.

Në vizitën e parë, në 21 maj 2009, nënpresidenti amerikan, Joe Biden, në takim me drejtuesit më të lartë të vendit në Prishtinë ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së se pavarësia e Kosovës përbën proces të pakthyeshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm. Kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë ai pas takimit te atëhershem me presidentin Fatmir Sejdiu e kryeministrin Hashim Thaçi.

“Së dyti, një Kosovë e tërë dhe e bashkuar është kusht minimal, për aq sa i përket qëndrimit të SHBA-ve. Një Kosovë e bashkuar dhe e pandarë është absolutisht kusht esencial dhe themelor”, ka theksuar Biden.

“Gjëja e tretë që dua ta theksoj është se mendoj se qeveria ka arritur një progres të konsiderueshëm gjatë vitit të parë. Progresi që qeveria e ka arritur brenda një viti është i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj se një element qenësor i suksesit të vazhdueshëm të qeverisë dhe i faktit që kjo qeveri është përqafuar nga bota është natyra vërtetë shumetnike e kësaj shoqërie, e këtij vendi dhe e kësaj qeverie”, ka thënë Biden.

“Dhe unë jam i bindur se përkushtimi për këtë është i vërtetë dhe njëmend i përhershëm. Për aq sa të ekzistojë ky përkushtim, do të ekzistojë edhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar nënpresidenti amerikan, Joe Biden në vizitën e parë në Kosovë.

Që në fillim të fjalës së tij, nënpresidenti Biden ka falënderuar për nderimin e tij nga presidenti Sejdiu me Medaljen e Artë të Lirisë, duke e quajtur këtë si një nga nderet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë. Kjo dekoratë mirënjohjeje u jepet personaliteteve të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur në 17 shkurtin historik 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: