TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry në Tiranë. Në profilin e tij në facebook, Rama shkruan se Kerry do të jetë në Tiranë më 14 shkurt, duke e quajtur një vizitë shumë të rëndësishme në një kohë sfidash.

“U zyrtarizua vizita e Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë:14 shkurt; vizitë shumë e rëndësishme në një kohë sfidash të përbashkëta!”, shkruan Rama.

Dje Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një njoftimi ne faqen zyrtare njoftoi për se Kerry do të qëndroje në Tirane në datën 14 shkurt, ku do të takohet me udhëheqësit e vendit për të diskutuar mbi Integrimin Europian të Shqipërisë dhe për marrëdhëniet e forta dypalëshe. Kerry vjen në Shqipëri pas qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në samitin e sigurisë, që mbahet nga data 12-14 shkurt.

Dhjetorin e kaluar Kerry zhvilloi turneun e tij të parë në cilësinë e sekretarit të shtetit në disa vende ballkanike. Ai vizitoi Kosovën, Serbinë dhe Greqinë.

Sekretarja e fundit e shtetit që ka vizituar Shqipërinë, ishte Hillari Klinton e cila erdhi në Tiranë në nëntor të vitit 2012, në kuadër të një turi mesdhetaro-ballkanik.

Vizitat e këtij niveli të larte amerikan, në Shqipëri nisën në vitin 1991, me ardhjen e James Bekker, e më pas me Medeleine Albright në 1998, Colin Powell në vitin 2002, Donald Rumsfeld në vitin 2004, për të kulmuar me vizitën e kreut të Shtëpisë së Bardhë, George Bush në qershor 2007.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: