Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shprehu sot urimet me rastin e 28 nëntorit, 104-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në mesazhin dërguar në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, Kerry i shpreh urimet më të mira Shqipërisë me rastin e 28 Nëntorit.
“Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të mbështetur Shqipërinë që ajo të ndërmarrë reformat e nevojshme për të arritur aspiratat e saj euroatlantike. Përgëzoj përpjekjet tuaja për të aderuar në Bashkimin Evropian dhe të shohë përpara për progresin e vazhdueshëm në rrugën drejt integrimit të plotë euro-atlantik. Në vitet në vijim Shtetet e Bashkuara presin vazhdimin e bashkëpunimit, sidomos në mbështetje të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, – shkruan ai.
Kerry kujton se që prej mbështetjes së Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në 1919, dy vendet tona kanë punuar së bashku në mënyrë produktive për të krijuar një miqësi të qëndrueshme të bazuara mbi vlera të përbashkëta dhe respekt reciprok.
“Si një anëtar i NATO-s dhe mentor për vendet e Ballkanit që aspirojnë për anëtarësim, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë”, – shkruan Kerry.
Shtetet e Bashkuara, thuhet në mesazh, çmojnë thellë ndihmesën e Shqipërisë për Koalicionin Global në Luftën Kundër ISIS-it, për Operacionin Mbështetja e Vendosur dhe për KFOR-in.
“Ne vlerësojmë gjithashtu angazhimin tuaj të fortë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe nxitjen e paqes në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë shumë kontributin e Shqipërisë për sigurinë globale, nga Afganistani, Iraku, dhe Ukraina, për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe Koalicionin Global kundër ISIS”, – thuhet në mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: