Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një konferencë për shtyp ka njoftuar se partia e saj do të votojë më 21 nëntor me aplikacion online për delegatët në Konventën Kombëtare.

Kryemadhi thekson se LSI do të aplikojë votimin online nëpërmjet ‘’Join LSI’’, një aplikacion i lehtë për t’u përdorur në telefona dhe i aksesueshëm dhe nga mediat.

Ajo garantoi se pas zgjedhjeve LSI do të japë shembullin e një procesi shembull për angazhimin dhe pjesëmarrjen. Kryemadhi i bëri thirrje të rinjve e të rejave që të marrin pjesë në këtë proces ku përcaktohet e ardhmja e drejtimit të partisë.

 

” Ju uroj që të keni një ditë të mbarë dhe në bashkëbisedimin tonë të përjavshëm, duke pasur parasysh që javën e kaluar e shmangëm për shkak të një angazhimi që kishim, sot do doja të bashkë ndanim me ju axhendën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për këtë javë, ku kryesisht do të bazohemi tek ajo që është një nga pikat tona më të rëndësishme, sikurse janë zgjedhjet në LSI, që në datën 21 nëntor të gjithë anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjithë Shqipërinë do t’i drejtohen të gjitha kutive të votimit në të gjitha bashkitë përkatëse, apo edhe nëpërmjet procesit të votimit online, ku ne si LSI kemi krijuar aplikacionin me anë të të cilit do të kryhet votimi online i anëtarëve të LSI-së në bazë të bashkive apo qarqeve ku ato votojnë për zgjedhjen e delegatëve për Konventën Kombëtare.
Ky është një proces që për hir të së vërtetës do tu mundësojë të gjithë anëtarëve që të përcaktojnë të ardhmen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, një proces i cili është i domosdoshëm për të krijuar hapësira të reja, përfshirje të reja të të gjithë të rinjve dhe të rejave, të të gjithë personaliteteve apo profesionistëve të lirë që janë afruar në LSI në këto vite dhe kërkojnë të kontribuojnë në politikëbërje, në vendimmarrje apo edhe në hartimin e politikave të ndryshme, jo vetëm përsa i përket politikave të LSI por edhe përsa i përket përfshirjes së këtyre të rinjve dhe të rejave apo edhe e këtyre profashistëve të lirë për të qenë pjesë e hartimit dhe të ndryshimit të asaj që është e domosdoshme më 25 prill në Shqipëri.
Kam besimin e plotë që pas këtyre zgjedhjeve që do të jetë një proces që do të jetë shembull përsa i përket angazhimit, përfshirjes dhe metodologjisë së përdorur që për hir të së vërtetës ne si LSI e kemi gjithmonë avangardë në këto procese.
Jemi forca e parë politike që kemi aplikuar që në vitin 2004 për procesin ‘një anëtar një votë’ për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Jemi forca e parë politike që në të gjitha proceset e përzgjedhjes së anëtarëve të KDK, apo edhe të Kryesisë së LSI e kemi kryer nëpërmjet votimit elektronik, gjë që ka filluar që në vitin 2012 dhe tashmë po aplikojmë votimin online nëpërmjet aplikacionit ‘Join LSI’, i cili do të jetë shumë shpejt prezent, jo vetëm për tu shkarkuar nga anëtarët e LSI, por edhe për ju si media, të cilëve do tu jepet një demo që pastaj do të jetë publike për të gjithë të tjerët.
Marr rastin të përsëris edhe njëherë thirrjen ndaj të rinjve dhe të rejave, ndaj grave dhe vajzave shqiptare që të përfshihen jo vetëm në LSI por të përfshihen edhe në fokusimin e kësaj gjenerate të rinjve dhe të rejave në politikë, në hartimin e reformave brenda LSI dhe jo vetëm kaq, por për tu bërë edhe vendimmarrës dhe politikëbërës me LSI.
Unë e kam thënë dhe vahdoj ta them herë pas herë që përfshirja në LSI nuk do të thotë të jesh thjesht një votues për siglën e LSI, por përfshirja në LSI është të marrësh në dorë fatet e tua dh të vendosësh vetë për angazhimin dhe përfshirjen tënde si vendimmarrës dhe politikëbërës dhe pse jo edhe vetëqeverisës.
Kjo është shumë e domosdoshme sot për brezin e ri, për të rinjtë dhe për të rejat, por edhe për të krijuar një frymë të re, jo vetëm për ne si LSI, por edhe për krijimin e një fryme të re edhe për qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë që do të rrjedhë si rezultat i votës së 25 prillit.
Ajo që unë kam dashur të ndaj me ju sot, është që gjatë gjithë kësaj kohe, që nga takimi i fundit që ne kemi pasur, unë kam zhvilluar takime shumë të mëdha me të rinj dhe të reja në të gjithë Shqipërinë, në Shkodër, në Lezhë, në Elbasan, Korçë, Fier dhe më bën përshtypje që angazhimi dhe përfshirja e të rinjve është shumë i madh, por përtej përfshirjes në politikë ajo që më bën përshtypje është dëshira që ata kanë për të marrë vendime për veten e tyre. Ndihen të frustruar, ndihen nervozë me politikën ,me situatën për shkak të mungesës së punësimit, të mungesës së pagave të mirëpaguara, për shkak të mungesës së mundësisë dhe shpresës.
Por përfshirja e tyre do të ishte shpresa më e madhe jo vetëm për ne në LSI, por për të gjithë Shqipërinë, gjë që do ta bënte më fresh, më të freskët politikën shqiptare.
Ajo që dua të theksoj që është një nga pikat tona kryesore është fakti se LSI është parti e të rinjve dhe të rejave, por nuk duhet të ngelemi thjesht në këtë, pasi LSI është partia e të gjithë atyre që duan të kontribuojnë, e të gjithë atyre burrave dhe grave që duan të ndryshojnë dhe ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve.
Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për përfshirjen e të gjithë intelektualëve në Shqipëri dhe jo të jenë indiferente ndaj politikës, e dimë që janë të zhgënjyer me të dhe të mërzitur, por i vetmi ilaç apo antidot kundër këtij zhgënjimi është përfshirja në politikë për ta detyruar politikën dhe klasën politike që të jetë jo vetëm në funksion të qytetarëve por për ta detyruar klasën politike që të jetë një politikë e re për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Mendoj që viti 2021 ka nevojë për politika të reja, për frymë të re, për energji të reja, për njerëz që duan ta ndërtojnë shtëpinë e tyre në Shqipëri.
Unë do dëshiroja që ta hapnim bashkëbisedimin. Ky është një mesazh që i drejtohet jo vetëm anëtarëve të LSI-së, por edhe të gjithë qytetarëve për të qenë pjesë e ndryshimit më 25 prill, sepse kjo nuk ka të bëjë thjesht me situatën që ne po kalojmë me pandeminë, që për hir të së vërtetës është një keqmanaxhim. Shikojmë se si artikulohet kur situata nuk është ajo që shfaqet në fakt. Një kryeministër që nuk pati mundësi të krijojë 300 mije vendet e reja të punës pa filluar pandemia, si mund të jetë i aftë ta bëjë këtë gjë në këtë situatë kaq problematike në të cilën e ka futur vetë vendin.
Një shëndetësi falas e cila nuk u bë falas përpara se të fillonte pandemia, kur ishte një nga shëndetësisë më të shtrenjta, tashmë ka kaluar çdo limit, kur edhe tamponi është 10 apo 12 herë më i shtrenjtë se çdo vend tjetër, për të mos thënë që ka edhe vende ku jepet falas, si mund të themi që ilaçet që po përdorin shqiptarët për krijimin në shtëpi duke u bërë viktima të trafikut të ilaçeve, që janë tmerrësisht të shtrenjta.
Pra, kjo ka të bëjë jo vetëm me një keqmanaxhim, por edhe me mungesën e një vizioni të qartë për tu shërbyer qytetarëve të këtij vendi, taksapaguesve kryesorë të këtij vendi, atë shërbim minimal që çdo shtet e ka për detyrë ndaj qytetarëve të saj.”- tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb