“Ktheju tokës” titullohej kënga me të cilën Jonida Maliqi na përfaqësoi në Eurosong një vit më parë. Sot, artisja e njohur e muzikës së lehtë shqiptare, iu bashkua nismës për të mbjellë pemë në Parkun e Liqenit Artificial, së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Mbollëm sot 100 pemë bliri për 100-vjetorin e Tiranës me një mikeshë shumë të mirë, një gocë Tirone, e cila ka dhënë gjithmonë më të mirën. E dimë se kur dikush angazhohet, patjetër që është qendër e sulmeve, e thashethemeve dhe e baltës që ndonjëherë ky vend nuk ta kursen, por kemi zgjedhur të jemi me shumicën e njerëzve që janë pozitivë, që duan energji të mirë, që përveshin mëngët”, tha Veliaj. Ai u shpreh se dhurata më e bukur për këtë 100-vjetor është një pemë e re, e cila do t’i shërbejë edhe brezave të ardhshëm.

Këngëtarja Jonida Maliqi shprehu mbështetjen për këtë nismë të Bashkisë së Tiranës, ndërsa vlerësoi kryebashkiakun për mbajtjen e premtimeve. “Jam e lumtur që bëhem pjesë e kësaj fushatë sepse mbi të gjitha, jam qytetare e këtij vendi, jam një nënë”, tha ajo.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kreu i Bashkisë u shpreh se pavarësisht skeptikëve, aksioni për të shtuar gjelbërimin është kthyer në një nismë globale dhe një nga prioritetet për shumë vende të Bashkimit Europian.

Veliaj shtoi se ky vit jubilar është edhe një moment reflektimi si shoqëri, për të qenë më shumë bashkëpunues me njëri-tjetrin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: