Drejtoresha e IDMC Jonila Godole në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se duhen bërë publike emrat e personave që kanë bashkëpunuar me diktaturën.

“Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë rekomandime Autoritetit të Dosjeve. Kur pashë projekt ligjin, ajo që më shqetësoi ishte se rekomandimet kalonin qëllimin dhe objektivin se përse Autoriteti i Dosjeve është ngritur. E kam mbështetur punën e Autoritetit. Duhet parë sa transparent ka qenë Autoriteti për figurat e larta që kemi sot në politikë, në gjykata etj. Ka rëndësi të mësojmë krimet e diktaturës. Të bëheshin publik emrat e personave që kanë bashkëpunuar me diktaturën. Dhe në këtë moment, i takon publikut nëse i dëshiron më këta persona. Duhen analizuar krimet e komuinizmit”, tha Godole.

Më tej, Godole u shpreh se Autoritetit të Dosjeve duhet t’i jepet më shumë fuqi që të zbardhë krimet e komunizmit.

“Autoriteti ndoshta tejkalon përtej vetes, kur i jepet mundësia që të ketë të bëjë jo vetëm me dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, por merret me të gjithë komunizmin. Nuk më duket e mençur që Autoriteti i Dosjeve të harxhojë kaq shumw energji, ndërsa me dosjet e Sigurimit etj. Duhet të merren edhe të tjera shoqata të interesuara. Centralizimi i kujtesës në një dorë është rrezik. Mbështes cdo iniciativë që nxit transparencë. Kuvendi nuk ka bërë aq punë sa duhet. Pushteti nuk mund të jetë vetëm në dorën e një njeriu. Të gjithë duhet të jemi të interesuar që Autoritetit të Dosjeve t’i jepet pushteti që të zbardhë gjithçka nga krimet e komunizmit. Projekt-ligji shtyhet me 10 vjet. Mbase bëhet edhe sepse pas dhjetë vitesh, personat që kanë bashkëpunuar me diktaturën kanë dalë në pension. Autoriteti i Dosjeve është marrë vetëm me ata që janë përndjekur, por duhet bërë gjithçka për të parë më gjerë se cfarë impakti ka pasur në jetën e njerëzve diktatura”, u shpreh Godole.

Në lidhje me prishjen e Teatrit Kombëtar, Godole vlerësoi se akti i paprecedent ishte humbje shprese.

“Shembja e Teatrit Kombëtar është një akt i paprecedent. Opozitën e kuptoj, sepse mbështet këtë kauzë që gjen hapësirë tek qytetarët. Mendoj se qytetarët janë të lodhur nga politika, nuk kanë besim më tek politika. Opozita e ka artikuluar saktë këtë kauzë, por njerëzit kanë humbur besimin tashmë. Mua më pëlqen që lëvizja për Teatrin e vazhdon aktivitetin e vet.  Shembja e Teatrit ishte humbje shprese”, vlerësoi Godole.

Edhe për Reformën Zgjedhore, Godole tha se nuk sheh shpresë tek ajo, pasi nuk sheh vullnet politik për të reforma në vend.

“Ndërkombëtarët janë ata që presionojnë, pasi palët brenda nuk kanë bërë gjë. Nuk kam shpresë tek Reforma Zgjedhore. Kam parë vetëm kozmetikë. Listat për të pasur gra përfaqësuese thjesht shihen që të mbushen numrat. Palët ulen vetëm nëse kanë një indicie nga faktori i huaj”, përmbylli Godole.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb