Dhjetë njerëz humbën jetën të hënën dhe më shumë se 250 të tjerë po marrin trajtim pas një rrjedhjeje të gazit toksik në portin Aqaba të Jordanisë.

Një kontejner magazinimi i kimikateve ra gjatë transportit si pasojë e një mosfunksionimi të vinçit, bëri të ditur Drejtoria e Sigurisë Publike (PSD) për mediat shtetërore.

Pamjet në televizionin shtetëror treguan një cilindër të madh duke u shkëputur nga një vinç në një anije të ankoruar, çka solli dhe shpërthimin e dhunshëm të gazit të verdhë.

“Numri i të vdekurve u rrit në dhjetë”, tha Faisal al-Shaboul për AFP, duke përditësuar shifrat fillestare prej pesë viktimash.

Mediat shtetërore bënë të ditur se Kryeministri Bishr Khasawneh dhe ministri i Brendshëm Mazen al-Faraya u nisën për në vendin e aksidentit.

Zëdhënësi i mbrojtjes civile Amer al-Sartawy kishte raportuar më herët se 234 persona u plagosën pasi tanku i mbushur me gaz toksik shpërtheu si pasojë e keqfunksionimit të vinçit.

“Specialistët dhe ekipi për trajtimin e substancave të rrezikshme në mbrojtjen civile po merren me incidentin”, shtoi Sartawy.

Sipas burimeve zyrtare jordaneze, plazhi jugor i Akaba u evakuua pas incidentit.

Porti Akaba i Jordanisë është terminali i vetëm detar i vendit dhe një pikë kyçe tranziti për një pjesë të madhe të importeve dhe eksporteve të saj.

Autoritetet u kërkuan banorëve të qytetit Aqaba, i cili është rreth 16 km në veri, të qëndrojnë brenda dhe të mbyllin dritaret dhe dyert./ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb