Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plotë një relacion sekret të vitit 1973, drejtuar njërit prej Sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, Qemal Myrselit, nga Sekretari i Komitetit të Partisë për rrethin e Mirditës, Jovan Bardhi, lidhur me shtypjen e revoltës së të burgosurve në kampin e Spaçit nga efektivët e repartit 303. I ndërtuar në mesin e vitet ’60, kampi i Spaçit, i pozicionuar në një nga zonat më të izoluara të rrethit të Mirditës, do të shërbente për plot 25 vjet si një nga institucionet më të tmerrshme të “Riedukimit” për sa u përket kushteve të punës dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut.

Sipas dëshmive të kohës, por edhe së fundi sipas disa dokumenteve arkivore të nxjerra në dritë, tregohet qartë, që shkaqet e vërteta të shpërthimit të revoltës së të burgosurve në kampin e Spaçit do të ishin pikërisht këto kushte tejet të rënda të punës dhe vuajtjes së dënimit nga ana e tyre si dhe aspekti i brutalitetit ekstrem të përdorur nga administrata e kampit. E zhvilluar në datat 21-23 maj të vitit 1973, revolta e kampit të Spaçit do të trondiste nga themelet në tërësi sistemin e “gulagëve shqiptarë” si dhe do të vinte totalisht në alarm jo vetëm administratën e kampit, por edhe qeverinë dhe veçanërisht Ministrinë e Brendshme, e cila do të niste vetë zv.ministrin e Brendshëm, Feçor Shehun në Mirditë për të menaxhuar situatën.

Por kjo kryengritje e të dënuarve të këtij kampi do të shtypej brenda 72 orëve me egërsinë më të madhe nga efektivët policorë të repartit 303 të ruajtjes së kampit(kazermat e të cilëve ndodheshin vetëm 500 metra larg hyrjes së kampit), si dhe nga batalionet e çetave territoriale vullnetare, të cilat menaxhoheshin po nga MPB-ja. Për pasojë, katër të dënuar, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi dhe Skënder Daja, të cilët do të akuzoheshin nga gjyqi i improvizuar ushtarak në ambientet e burgut si iniciatorët kryesorë të nisjes së kësaj revolte, do të dënoheshin me vdekje dhe do të pushkatoheshin në periferi të zonës së kampit(eshtrat e tyre ende nuk janë gjetur).

Gjykata Ushtarake, e kryesuar nga gjykatësi Hilmi Telegrafi, ndihmësgjyqtar Ymer Aliko dhe prokuror Mit’hat Goskova, do të jepte gjithashtu dënime tejet “drakoniane” edhe për rreth 30 të dënuar të tjerë pjesëmarrës aktivë në revoltë, të cilat varionin nga 25 vjet e deri në burgime të përjetshme. Por aspekti më tronditës i paraqitur me hollësi në këtë dokument do të jetë, pa dyshim, interesi i veçantë i treguar nga instancat e larta të KQ të PPSH-së për “kujdesin e veçantë ndaj gjendjes fizike dhe emocionale” të efektivit të repartit 303 si dhe të pjesëtarëve të çetave territoriale vullnetare të rrethit të Mirditës, të cilat menaxhuan me “shkathtësi dhe sukses të plotë” gjendjen e nderë në ambientet e kampit. Relacioni në fjalë tregon dhe analizon qartë të gjitha shkaqet e shpërthimit të revoltës si dhe masat tejet represive të ndërmarra nga MPB-ja, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë si dhe nga administrata e repartit 303 të Spaçit. Shkaqe dhe analiza, të para kësaj here me syrin e vetë atyre që e shtypën me egërsinë më të madhe këtë revoltë, ku kërkesa kryesore e së cilës do të ishte respektimi i të drejtave themelore të njeriut.

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE
Rrëshen, më 24.5.1973
KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT MIRDITE
Lënda: Informacion paraprak mbi shtypjen e revoltës kundërrevolucionare të të dënuarve në kampin e Spaçit
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(Shokut Qemal Myrseli)
Tiranë
Siç jeni në dijeni, më datë 21 maj 1973, nga të dënuarit politikë të kampit të riedukimit të Spaçit u zhvillua një revoltë kundërrevolucionare, e cila u shtyp më datë 23.5.1973 dhe më datë 24 gjendja u normalizua, të dënuarit filluan punën në prodhim. Komiteti i Partisë, me anën e shokëve Jovan Bardhi, Sekretar i Parë dhe Preng Pepa, kryetar i Komitetit Ekzekutiv, ndoqën në vend gjatë gjithë kohës punën dhe morën masa së bashku me kuadrot e ngarkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, të kryesuar nga shoku Feçor Shehu, zv.ministër i Punëve të Brendshme, për shtypjen e revoltës. Ngjarja nisi në orën 5 të mëngjesit të datës 21 maj 1973. Si pretekst u shfrytëzua thyerja e rregullave të kampit nga një i dënuar (Pal Gjergj Zefi), i cili u largua nga biruca pa kryer dënimin dhe pa urdhër të komandës. Gjatë tentativës për ta kthyer në birucë, shpërtheu veprimi i 16-të të dënuarve të tjerë, në mbrojtje të të dënuarit Pal Zefi dhe kundër oficerit dhe nënoficerëve të tjerë të shërbimit, deri në goditje. Historikun nga ana kronologjike nuk po e zhvillojmë, pasi jeni të informuar.

Ngjarjet që u zhvilluan tregonin se kishim të bënim me një revoltë kundërrevolucionare me karakter thellësisht politik dhe jo për çështje të thjeshtë të rregullit të punës e të jetesës. Ata filluan të veprojnë në masë të gjithë, duke përdoruar parulla reaksionare: “Ja vdekje, ja liri”, “Ju jeni katilë, keni lyer duart me gjakun tonë”, “Rroftë Evropa e lirë”, “Poshtë komunistët”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Populli është me ne dhe është kundër jush”. U bënë thirrje ushtarëve të dorëzonin armët. Ngritën një flamur të përgatitur dhe të vizatuar prej tyre. Zhvilluan mbledhjet e përfaqësuesve sipas krahinave. Përpunuan platformën për të koordinuar veprimet në vazhdim të revoltës. Nxorën kërkesa për lëshime, të lirohen nga burgu si të pafajshëm, të mos punojnë asnjëherë nën tokë. Grisën dhe dogjën këndin e emulacionit, shkruan parulla me përmbajtje kundërrevolucionare.

Jovan Bardhi: Revolta e Spaçit, kundërrevolucionare, e nxitur nga CIA dhe Vatikani
Pra kishim të bënim me revoltë thellësisht kundërrevolucionare. Kjo situatë vazhdoi deri në mëngjes të datës 23 maj 1973, kohë në të cilën masat tona që u morën gjatë ditëve 21 dhe 22 maj 1973, u vunë plotësisht në veprim dhe shpartalluan e likuiduan plotësisht revoltën. Gjatë veprimeve, gjendja morale dhe mobilizimi i efektivit i ngarkuar për sigurimin e kampit si dhe të efektivëve të tjerë që erdhën me urdhër nga lart qe mjaft i mirë: vepruan energjikisht, përballuan lodhjen e pagjumësinë etj., dhe kryen me sukses detyrën. Pas shtypjes së revoltës, Byroja e Komitetit të Partisë të rrethit, veç informimit gjatë zhvillimit të ngjarjeve, më datë 24 maj 1973 u mblodh posaçërisht dhe u informua në mënyrë më të plotë dhe po ndjek analizat në Organizatat e Partisë dhe në Organet e Punëve të Brendshme, në Degë dhe në repartin 303, për të nxjerrë shkaqet që lejuan të zhvillohet kjo revoltë, përgjegjësinë kolektive dhe personale për gjendjen e krijuar si dhe mësimet që do të nxirren nga kjo gjendje e rëndë dhe për përmirësimin e saj.

Pas këtyre analizave, Byroja e Komitetit të Partisë do të mblidhet në mënyrë të veçantë për t’u kërkuar llogari shkaktarëve, për të përcaktuar përgjegjësit e Organizatave Bazë të Partisë të Degës së Punëve të Brendshme, e repartit 303 si dhe përgjegjësinë e sekretariatit dhe të vetë Byrosë. Për këto do t’i raportojmë hollësisht Komitetit Qendror të PPSH-së. Gjatë këtyre ditëve, do t’ju mbajmë vazhdimisht në dijeni mbi gjendjen atje dhe mbi masat e mëtejshme për forcimin e saj. Ngjarja është marrë vesh edhe në zonat e tjera të rrethit, pasi aty ka pasur punëtorë të cilët u larguan nga miniera, rrugëtarë që kanë kaluar dhe e kanë parë etj. Me të dhënat që kemi, jehona është e mirë. Njerëzit janë shprehur me urrejtje ndaj armiqve dhe kanë shfaqur mendimin se armiqtë duan plumbin. Ne do të shfrytëzojmë rastet jo të posaçme që në mbledhjet dhe në takimet e ndryshme nëpër zona të sqarojmë gjendjen dhe masat tona si veprim të diktaturës së proletariatit kundër armiqve të klasës, duke i lidhur me temat e dhëna nga shoku Enver në fjalën e 15 marsit 1973. Shënojmë se masat e forta që u morën për shtypjen e revoltës, vendimi i gjykatës speciale ndaj 12 të gjykuarve dhe ekzekutimi i këtij vendimi brenda datës 24 maj 1973 ka bërë efektin që armiqtë të nënshtrohen dhe të futen në punë.

SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE
JOVAN BARDHI
Qemal Myrselit për shokun Hysni
1.6.1973
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE
Rrëshen, më 30.5.1973
KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT
MIRDITE
Nr. 335 Prot.
Lënda: Informacion mbi gjendjen në kampin e riedukimit Spaç për periudhën 24-29 maj 1973
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(SH. QEMAL MYRSELI)
TIRANE

Përveç problemeve për të cilat ju kemi informuar, sipas informacioneve që kemi nga Dega e Punëve të Brendshme, tani në kampin e riedukimit të Spaçit paraqitet kjo gjendje: Së pari, si rezultat i masave që u morën, tani gjendja është stabilizuar, të dënuarit dalin rregullisht në punë, nuk ka thyerje të disiplinës dhe në përgjithësi e realizojnë dhe tejkalojnë normën. Kështu p.sh., më datë 28 maj, dy turnet, ndonëse me mungesë të fuqisë punëtore dhe të ajrit të komprimuar për mungesë të energjisë elektrike, plani u realizua në pirit 83 për qind dhe në bakër 77 për qind; kështu, në qoftë se nuk do të kishte mungesë ajri, plani ditor do të realizohej.

Së dyti, qëndrimet në radhët e të dënuarve paraqiten në këtë mënyrë:
Pjesa më e madhe e tyre tani i dënojnë shkaktarët që nxitën dhe morën pjesë në revoltë. Shumë prej tyre u janë kundërvënë elementëve që ishin pjesëmarrës dhe nxitës në revoltë, bile kërkojnë të merren masa edhe ndaj tyre. Një pjesë e konsiderueshme mbajnë qëndrim indiferent; këta dalin rregullisht në punë, zbatojnë rregullat e disiplinës, por në çështjet e tjera qëndrojnë indiferentë. Pjesa tjetër, që përbëjnë pakicën, në mënyrë të maskuar vazhdojnë të përhapin parulla armiqësore. Kështu p.sh., disa shprehen: “Ne do të qëndrojmë të papërkulur, ashtu siç kemi qëndruar”. Ndërsa i dënuari Xhemal Bali, nga Konispoli, i dënuar dy herë për krime ndaj shtetit, thotë: “Neve nuk na duhet më gjë jeta që jetojmë”.

Raporti sekret: Edhe vetë të burgosurit shprehin urrejtje ndaj revoltës

Ndërsa dy të tjerë shprehin urrejtje ndaj masave që u morën nga organet tona për arrestimin dhe dënimin e shkaktarëve të revoltës. Nëpërmjet këtyre ka edhe nuanca për hakmarrje, sidomos kundër disa të dënuarve që dolën dëshmitarë dhe denoncuan organizatorët kryesorë të revoltës, dhe në forma shumë të maskuara urrejtja më e madhe shprehet kundër kuadrove që morën pjesë në stabilizimin e gjendjes. Me qëllim që të bëhet spastrimi dhe stabilizimi i mirë i gjendjes nga Organet e Brendshme dhe të Drejtësisë, janë arrestuar edhe 5 vetë më datë 27 maj, pjesëmarrës në revoltë dhe vazhdues të veprimtarisë armiqësore. Organet e Degës së Punëve të Brendshme vazhdojnë përsëri punën e tyre, në drejtim të zbulimit, të demaskimit dhe të punës edukative, me qëllim që të thellohet më tej diferencimi brenda radhëve të tyre.

SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE
(JOVAN BARDHI)
Sipas porosisë së shokut Hysni, u bisedua me shokët e MPB-së dhe çështjet u shtruan në mbledhjet e kolegjiumit. Nga kjo mbledhje dolën edhe të metat e punës dhe u morën masat e nevojshme.
23.6.1973
Qemal Myrseli
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE
Rrëshen, më 8.6.1973
KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT MIRDITE
Nr. 358 Prot.
Lënda: Dërgojmë konkluzionet e Byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit mbi ngjarjet në kampin e Spaçit
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(SHOKUT QEMAL MYRSELI)
TIRANE
Bashkëngjitur ju dërgojmë: materialin me konkluzionet e Byrosë së Komitetit të të Partisë së rrethit lidhur me ngjarjen në kampin e Spaçit.
SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT
JOVAN BARDHI
Shoku Qemal
I bisedoni këto probleme që i takojnë MPB-së, të merren masa.
Hysni Kapo
(Vijon)

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb