Aktivistja Evi Kokalari ka folur në lidhje me marrëdhëniet që ka me Jozefina Topallin.

Ajo u shpreh se me të nuk ka asgjë konkrete, por se Topalli është sjellë ftohtë sa herë që janë takuar.
Kokalari tha se kjo me sa duket është sjellja normale e saj me femrat dhe se në vijimësi ish-kryeparlamentarja Topalli është përpjekur të mbajë larg vetes femrat e tjera në mënyrë që të bjerë vetë në sy.

“Mua nuk më përshëndet! Kur kemi pasur salutime ka ndodhur se e kam përshëndetur unë atë. Ka ndodhur një herë në studion e Blendi Fevziut e ftohtë fare dhe kam shkuar i kam dhënë dorën dhe pastaj e kam përqafuar kur jemi ndarë. Kjo që të kuptohet që nuk kam absolutisht asgjë me asnjë.

Edhe në Kongres kaloi me vrap e nuk më përshëndeti. Po e them publikisht sepse më ka bërë përshtypje. Nuk ka asgjë në raportin tonë në fakt, por më kanë thënë që ky është në përgjithësi reagimi i saj në raport me femrat.
Edhe kur ka qenë në pozitë, ka mbajtur shumë femra larg, vetëm që të dalë vetë në planin e parë.
Edhe në Kongres ishte ulur diku, pastaj u afrua dhe është ulur pranë meje dhe zonjës Berisha. Kjo sipas meje u bë që të ishte e inkuadruar në televizion, por nuk na përshëndeti dhe unë nuk e dija që ishte aty. Kjo më ka bërë shume përshtypje.

Kam pasur shumë simpati për të sepse është e fortë dhe mund të jetë një “role model”, por që gjithmonë i ka mbajtur femrat larg që të dilte vetë në pah dhe ky është një gabim shumë i madh për femrat që kanë nevojë”, është shprehur ajo në Abc news.

Zonja Kokalari ka sqaruar edhe situatën me përfshirjen e këngëtares Bleona Qereti në listat e Partisë Demokratike për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Ajo tha se ndjehet e keqardhur që Bleona fillimisht ka dhënë konfirmimin për të qenë pjesë e listës dhe më pas ditën tjetër tha “Jo”.

Kokalari shpjegoi se Bleona duhet ta merte një gjë të tillë si nder, sepse ishte nderi më i madh që mund t’i bëhej, por sipas saj këngëtarja ka marrë mendimet e dikujt nga Amerika, që e bënë të ndryshonte mendim.

“Mua më erdhi keq se asaj iu bë një nder, u pyet për të marrë pjesë dhe kishte thënë Po, dhe të nesërmen tha Jo. Pastaj dolën titujt që Bleona i tha jo Berishës.

Unë isha prezent, mund të kishte diskutuar me mua, por mori mendimet e dikujt që nuk duhet t’i merrte, nga Amerika.

Realiteti është që ajo i tha Po fillimisht, dhe prandaj u fut në listë. Askush nuk është përfshirë në listë pa dhënë fillimisht konfirmimin për dikë nga personat që po përpilonin listën.

Bleona e ka ndihmuar Partinë Demokratike në të shkuarën. Unë e di që ajo e do Sali Berishën. Por fakti që ajo u kthye dhe tha Jo të nesërmen, pa folur me grupin dhe pa folur me askënd, ajo fillimisht duhet të paktën të kishte kapur telefonin dhe të kishte komunikuar me mua, nëse kishte diçka. Ishte një gabim fatal i saj.

Ky ishte një nder për atë. Duhet ta kishte marrë si nder. Nuk e di nëse i kanë bërë një nder edhe më të madh në Shqipëri Bleonës, sepse e kam ndjekur pak shumë se si shkojnë gjërat këtu, dhe duhet të ishte treguar shumë më diplomatike dhe shumë më e kujdesshme për shumë arsye”, përfundoi Kokalari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb