TIRANE- Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, një nga zërat e fortë në këtë forcë politike thotë se ka ardhur koha për një lëvizje të re, si ajo e “8 Dhjetorit”. Në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Topalli thotë se zgjedhjet brenda partisë duhet të jenë të lira dhe demokratike.

“Besoj se ka nevojë për një 8 dhjetor po aq të madh sa e para. Nëse e para ishte diktaturë që kishte mbytur çdo qelizë të mendimit dhe lirisë , kjo e dyta është diktaturë e korrupsionit dhe mjerimit, por s’ka dhunë më të egër dhe gjë më fyese se sa kontratat që bëjnë politikanët shqiptarë”, thotë Topalli.

E pyetur nëse do të vihej në krye të këtij “8 dhjetori” të dytë, qoftë edhe parimisht, Topalli përgjigjet:

“As parimisht, as taktikisht. Unë kam ndalu hapin, pasi dikush ka vendosur të mos jem në atë sallë. I falënderoj me gjithë zemër që s’jam sot në atë parlament. Më shumë se kurrë jam e bindur se duhet një reformë e madhe”.

Sakaq, nuk munguan komentet e ish-numrit dy të Partisë Demokratike as për situatën aktuale brenda opozitës, teksa shtoi se asgjë nuk mund ta ulë në një tryezë të përbashkët me Lulzim Bashën.

“Është fyese ta kesh në krye të tryezës atë (Bashën), fyen veten. Kohët do ta tregojnë më shumë unë sot s’kam dëshirë të flas për Lulzim Bashën, është konsum shpirtëror i madh”, thotë Topalli.

Politika sipas Jozefina Topallit është në krizë dhe për këtë ajo fajëson Ramën e Bashën, për të cilët thotë se janë në një marrëveshje që ka nisur përpara 18 majit e që vazhdon ende.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: