E ftuara e parë e mbrëmjes së sotme në “Dola te Ola”, ishte ish-kryeparlamentarja e parë dhe e vetme femër në historinë e parlamentit shqiptar. Jozefina Topalli, një zonjë në kuptimin e vërtetë të fjalës, një grua e fortë dhe e realizuar në jetën e saj, e cila është parë me admirim gjithmonë nga pjesa më e madhe e grave shqiptare.

E teksa politikanët jemi mësuar që t’i shohim gjithmonë duke folur për politikë, në “Dola të Ola” zbulojmë anën tjetër të tyre, atë jashtë politikës. Kjo ndodhi edhe sot me zonjën Jozefina Topalli ku pamë një anë tjetër të saj, si është ajo si bijë, motër, grua, nënë apo shoqe.
Gjatë mbrëmjes u shfaqën shumë foto në studio, por do të veçonim foton ku Jozefina Topalli është zgjedhur deputete, ajo kujton me nostalgji që ka qenë shumë e emocionuar.

Një tjetër foto është ajo me George W. Bush, ish-presidentin e Amerikës, Jozefina shprehet që ka mbetur e impresionuar nga George W. Bush, jo vetëm për faktin që ishte presidenti i Amerikës, por ajo tregon se ishte njeri shumë i thjeshtë. Ndërsa në foton me Pjetër Arbnorin, Jozefina thekson se ai të jepte paqe dhe pozitivitet.

Nuk munguan as fotot me dy shoqet e saj, miqësi e cila ka nisur nga fillorja siç tregon edhe vetë ajo. “Me shoqet e vërteta flet pa asnjë rezervë, ashtu siç e mendon, shoqëria e fëmijërisë është ajo që mbetet gjithmonë”, thekson Topalli

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb