Nga Pëllumb Kulla

Në kalendarët e historisë së shqiptarëve ka plot ditë të tjera shumë më të përgjakshme se 21 janari, por kjo e janarit, përveç gjakut ka në ballë edhe turpin, ngaqë shënohet në kalendarin e bardhë të të ashtuquajturës demokraci brenda kornizës së BE-së dhe NATO-s.

Ishte i rëndë dhe i turpshëm 21 janari i 2011, por gjithsesi më pak i rëndë dhe më pak i turpshëm se këta që erdhën pas.

Para disa vjetësh vrasësit ishin prepotentë, të paprekshëm. Ata vranë katër vetë teksa po mbanin duart në xhepa dhe tani që njohim karakterin e pushtetit të tyre, ai akt kriminal, thjesht, u shtohet historive të përgjakura qeverisëse në arkivat e njerëzimit. Ajo histori e tyre vrastare pasurohet me faktin se patën dy vjet e gjysmë kohë, që formalisht ta mbyllnin kapitullin me gjyqe të stisur dhe me fajtorë nga kundërshtarët që po u rrezikonin tua shqitnin kulltuqet nga bythët.

Nuk e bënë dot… Kësisoj ishin gati të mirëkuptuar, edhe kur i soditnim tek fshihnin gjurmët e krimit me shuarjet e filmimeve, ndërrimet e tytave, injorimet e prokurorëve…

Edhe 21 janari i vjetshëm, bile, ishte më i kuptueshëm dhe më pak i turpshëm se ky i sivjetmi!

Sivjet, 21 janari ulurin dhe çirret!

Pritet sërish të mbulohen hipokritikisht me lule njollat e gjakut të përfytyruar në vendet ku u gjendën shtrirë ata të vrarët me duart në xhepa… Dhe do të dërdëlliten premtimet e reformës në drejtësi…

Kjo përralla me reformë, do t’u shtohet luleve sivjet…

Ju kam dhjerë reformën!

Ju kam dhjerë konsensusin, ekspertët, amendamentet për Venecien, vetë Venecien dhe përpjekjet e ambasadorit amerikan! Premtoni alpet, kur nuk ngjisni dot një pirg dheu!

Nuk ka reformë më të thjeshtë se sa kjo e juaja:

Formuloni një akuzë për 21 janarin dhe shpjereni në gjykimin e Venecies, Brukselit dhe Uashingtonit! Ose dorëzoni për hetim dy akuza të kundërta: një të kësaj qeverie për të shkuarën dhe një të qeverisë të shkuar për këtë të sotmen! Lërini listat me Rrugë Kombi, me Gërdec dhe me naftën e Millosheviçit!

Ndaluni tek njëra! Përqendrohuni veç tek njëri nga turpet e kësaj gjenerate politikanësh! Qëroni dhe kthjelloni 21 janarin 2011!

Dhe ta shikoni sa e thjeshtë është reforma juaj e famshme e drejtësisë! Jepini paqë pikëllimit të 21 janarit dhe do ta shikoni se reforma është bërë vetvetiu!

Se ai 21 janar, e ka një fajtor.

Dhe ai fajtor, daçi besoni, daçi mos besoni, ai nuk jam unë!

Prandaj kam kaq vrer, kaq përbuzje dhe mushkëri që të ulurij që këtej: ju kam dhjerë mu në reformë!

Dëgjuat?/ //Botuar në Gazetën DITA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb