Kryedemokrati Lulzim Basha ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, në News24, ku gazetari Bashkim Hoxha e nisi intervistën me një batutë, teksa tha se “Ju prishëm gjumin e këtij mëngjesi që është bërë proverbial në këtë fushatë”.

Përgjigjja e Bashës ishte se kjo është rutina e tij e përditshme, ndërsa iu kthye Edi Ramës, duke thënë se gjumi është problemi i kundërshtarit të tij politik, që në këto 8 vite nuk ka asnjë bilanc.

Pjesë nga biseda e kryetarit Basha:
Bashkim Hoxha: Mirë se erdhët zoti Basha!
Lulzim Basha: Mirë se ju gjej!

Bashkim Hoxha: Ju prishëm gjumin e këtij mëngjesi që është bërë proverbial në këtë fushatë…
Lulzim Basha: Aspak, përkundrazi është rutina ime e përditshme, problemi i kundërshtarit politik, është që ka 8 vite që nuk ka asnjë bilanc, asnjë përgjigje. Ka patur pushtetin më të madh që nga koha e Enver Hoxhës dhe s’ka asnjë përgjigje për shqiptarët. Ndaj, e gjithë fushata e tij është përqendruar në sajesa, por edhe në një koncept të dëmshëm për shoqërinë, po nuk vodhe fle gjumë. Domethënë ata punë e quajnë vjedhje, ndërkohë që unë jam përditë jam në punë, jam në krye të detyrës 8 vite në opozitë dhe qytetarët e kanë parë, sepse si unë ashtu dhe ashtu dhe Partia Demokratike kemi qenë nga mëngjesi deri në darkë në mbrojtje të interesit të tyre kundër një qeverie që nga mëngjesi deri në darkë ka qenë kundër interesit të tyre dhe kjo është situata ku ndodhemi sot. Një krizë e thellë ekonomike, si rezultat i keqqeverisjes dhe një etje për ndryshim që do të materializohet me votën e shqiptarëve më 25 prill.

Bashkim Hoxha: Ju përmendët fushatën me sajesa, fushatën e cila nuk ka çfarë të thotë, ndërkohë fushata ka patur dhe disa karakteristika të tjera. Ka patur dhe shere, ka patur tensione, ka patur epitete ndaj kundërshtarëve politik dhe pikërisht këtë atmosferë kaq të ndezur, ju dilni me një gjë që ka të bëjë me urtësinë, me një libër. Është libri “Misioni im”, i cili ka disa ditë që ka qarkulluar. Përse zgjodhët pikërisht në këtë kohë ta botoni këtë libër?
Lulzim Basha: Në fakt duhej botuar më përpara dhe në qoftë se do ta kisha patur në dorë kohën time e cila okupohet nga aktiviteti i drejtimit të Partisë Demokratike dhe i përgatitjes për fushatë, por në qoftë se koha do të kishte qenë, do ta kisha mundësuar, atëherë libri do të kishte dalë në Janar apo ndoshta edhe në Dhjetor. Pra nuk është një libër i cili synon të botohet për fushatë është një reflektim që rrallë herë kemi mundësinë ta bëjmë në studio televizive sepse aty për fat të keq dominon e përditshmja, dominon debate i ndezur dhe nuk ka shumë vend për refleksion, nuk ka shumë vend për një thellësi mendimi që do ti ndihmonte debatit publik, debatit politik, njohjes së problemeve dhe njohjes nga ana e qytetarëve të mënyrës se si politikanët I shohin problemet e ndryshme. Në këtë libër jam përpjekur t’i hap mendimin tim të kahershëm për politikën, të cilën që nga dita e parë nuk e kam parë kurrë si një profesion apo si një instrument për të lidhur kundërshtarin por si një mision për të zgjidhur problemet dhe sfidat e shumta që ka shoqëria shqiptare dhe për të çuar përpara aspiratat me të cilat kemi nisur rrugëtimin tonë pas rënies së komunizmit dhe pas nisje të demokracisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb