Kryeministri Edi Rama ka qenë sot pjesë e diplomimit të maturantëve në gjimnazin “Sami Frashëri”.

Ai u kërkoi maturantëve të kishin besim tek vetja dhe të realizonin ëndrrat e tyre, sepse sipas tij kjo botë është vetëm e atyre që guxojnë dhe realizojnë ëndrrat.

Rama shtoi se nëse kanë besim, asgjë nuk është e pamundur.

“Së pari, dua t’iu uroj nga gjithë zemra prindërit tuaj, në radhë të parë nënat tuaja, nënat tuaja që ju kanë ndenjur pranë ccdo ditë, që ju presin me zemër të ngrirë kur vonoheni në darkë dhe që duan për ju më të mirën e kësaj bote. Vajzave nuk ia kam merakun, ccunave iu uroj që të mos i harrojnë kurrë sakrificat dhe mbështetjen e nënave dhe baballarëve.

Me këtë rast, nga këtu nuk ka vend më të mirë për t’i uruar me gjithë zemër të gjitha nënat dhe të gjithë baballarët e të gjithë maturantëve të këtij viti në Shqipëri.

Së dyti, dua të përgëzoj dhe të falenderoj nga zemra të gjitha mësueset tuaja. Po shikoja me vëmendje të gjeja ndonjë mësues. Ka ndonjë mësues këtu apo të gjitha femra? I paskeni nja dy hudhra atje në fund, për të mos marrë më sysh. Megjithatë, edhe mësueset dhe mësuesit me shumë mirënjohje për të gjitha vështirësitë që kanë hasur, për gjithë kujdesin që kanë treguar, por edhe për gjithë respektin që ju tregoni për ta sepse kur u përmendën mësuesit dhe mësueset, ju duartrokitët me shumë zjarr dhe për këtë meritoni dhe ju respekt.

E fundit, më vjen keq që ju tani po ikni, ndërkohë që shkolla e re do hapet në shtator, por janë disa shkolla, pak shkolla, ndër të cilat është dhe Sami Frashëri, që nuk janë thjesht shkolla, por vëllazëri që vazhdon me vite dhe dekada.

Kështu që, unë nuk e kam pasur fatin të jem as të Samiu, as të “Petro Nini”, as të “Ismail Qemali”. Unë i përkas kategorisë së dytë, kam qenë tek Liceu Artistik, por e përmbaj zilinë për ju. E përmbaj zilinë për ju sepse kështu është kjo jetë, nuk e kanë të gjithë fatin që kanë ata që të shkojnë tek Samiu dhe që shkojnë tek disa shkolla që janë kulte.

Po ashtu, besoj që këtu në këtë sallë, unë, bashkë me ju maturantët, nga gjithë këta të rriturit, unë jam i vetmi që nuk kam as doktoraturë, as master. Kam një diplomë “bojaxhiu”, por ajo që është e rëndësishme është që ju kurrë të mos dorëzoheni për të realizuar ccdo ëndërr që e shikoni me sy hapur.

Nga ëndrrat me sy mbyllur bëni kujdes, por ëndrrat me sy hapur besojini dhe shkojini deri në fund. Kjo botë është e atyre që nuk dorëzohen.

Kjo botë është e atyre që me guxim dhe durim shkojnë drejt realizimit të ëndrrave të tyre dhe unë i uroj ng zemra të gjithave dhe të gjithëve ju që të realizoni ëndrrat tuaja.

Po e mbyll këtu tani se jam i bindur që asnjë nga ju nuk e kishte marrë malli për mua. Nëse ndonjërin e merr malli dhe po qe se televizori është i zënë, hapni frogoriferin se aty më keni.

Shumë faleminderit. Suksese dhe kini besim, besim, besim. Asgjë nuk është e pamundur nëse ju keni besim. Faleminderit!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb