Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, i pyetur për shtyrjen e kandidaturës për deputet, deklaroi se kjo gjë ka pak rëndësi për të, kurse shtoi se “nuk iu vendos assesi flakën interesit të demokratëve”.

Salianji vlerësoi se e shikon politikën si mision dhe jo si një interes personal.

“Demokratët kanë reaguar në këtë javë për këtë vendim-marrje të Komisionit. Unë me PD-në jam bashkuar në opozitë, jam përplasur ballazi me qeverinë dhe në PD kam qenë dhe do të jem, e do të jap kontributin tim në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ky është një proces ky Lulzim Basha delegon vendim-marrje për të demokratizuar më tej PD-në. Komisioni shoshit kandidaturat dhe në fund vendoset se kush do të jetë kandidat për deputet. Ne jemi të bashkuar dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë do të vazhdoj të bëj politikë dhe nuk ka fare rëndësi nëse jam apo jo kandidat për deputet. Do të vazhdoj të kontribuoj njësoj dhe fuqishëm në Partinë Demokratike.

Kam bërë opozitë të fortë në një kohë të vështirë. Nuk ka pushtet abuzues në PD. E rëndësishme është që në fund ne shkojmë të bashkuar në zgjedhje për të mposhtur Edi Ramën. Do të jem me PD-në në çdo rast. Nuk iu vu flakën interesit të demokratëve. Jam ndër personat më të votuar.  Ka pasur komunikim publik të PD-së për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet. Raporti mes meje dhe Lulzim Bashës nuk ka ndryshuar”, tha Salianji.

Ervin Salianji theksoi se PD sot ka mbështetjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë dhe do të mposhtë Edi Ramën në zgjedhje.

“Isha në Korçë në mënyrë normale. Nuk kishte asnjë lidhje me vendimin e Komisionin. Isha pranë strukturave të PD-së, gjë që e bëj përherë, kjo është puna ime. Entuziazmi duket qartë. Mbështetja për PD-në është si kurrë ndonjëherë. Unë përherë kam luftuar që PD të jetë më e fortë. Është qëndrim normal, siç unë di të bëj politikë. Kam qenë aty ku korrupsioni e skandalet kanë qenë të mëdha”, deklaroi Salianji.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb